Një alarm sigurie vuri në lëvizje policinë në Long Island, pasi një bankë raportoi një grabitje të mundshme. Kur oficerët mbërritën në vendngjarje, kuptuan shpejt se ngjarja nuk kishte lidhje me krimin… por me botën e egër.
Brenda bankës Webster ndodhej një dre, i cili kishte thyer xhamin dhe po vraponte mes zyrave, duke përmbysur karrige dhe letra, në një përpjekje të dëshpëruar për të gjetur daljen.
Skena ngjante më shumë me një film komik sesa me një hetim penal.
Sipas policisë së qarkut të Suffolkut, oficerët arritën ta kapnin drerin me litar dhe ta nxirrnin jashtë bankës, pa lëndime dhe pa pasoja serioze, përveç disa dëmeve materiale dhe një historie që do të kujtohet gjatë.
Ngjarja ndodhi të dielën, më 18 janar, në një degë të Bankës Webster ku alarmi i sigurisë u aktivizua sapo “vizitori” i paftuar hyri brenda.
Policia nuk i kurseu batutat pas incidentit, duke njoftuar se dreri “nuk u akuzua për asnjë vepër penale” dhe se mbetet i lirë “të thyejë ndonjë bankë tjetër një ditë tjetër”.
Komente











