SHBA - Elita e basketbollit amerikan, NBA, zhvilloi mëngjesin e sotëm me orën shqiptare pesë sfidat e radhës.

Kampionët në fuqi të Oklahoma City Thunder arritën një fitore të rëndësishme 129-126 ndaj Denver Nuggets në sfidën e radhës në NBA, duke u bërë ekipi i parë që kalon kuotën e 50 fitoreve këtë sezon. Ndeshja ishte e luftuar dhe e ekuilibruar deri në sekondat e fundit, ndërsa protagonisti kryesor për Oklahomën ishte Shai Gilgeous-Alexander, i cili realizoi një paraqitje spektakolare me 35 pikë dhe 15 asiste.

Fitore dramatike edhe për Utah Jazz, që triumfoi 119-116 ndaj Golden State Warriors. Vendimtar në këtë sukses ishte kontributi i lojtarëve të stolit, nga ku erdhën plot 50 pikë për skuadrën nga Utah.

Pa shumë vështirësi fitoi Cleveland Cavaliers, që mposhti 115-101 Philadelphia 76ers. Për vendasit u dallua James Harden me 21 pikë të realizuara.

Ndërkohë, New York Knicks u ndal në përballjen ndaj Los Angeles Clippers, duke u mundur 126-118. Për kalifornianët shkëlqeu Kawhi Leonard me 29 pikë, ndërsa u dallua edhe Bennedict Mathurin me 28 pikë.

Fitore arriti edhe Brooklyn Nets, që mundi 126-115 Memphis Grizzlies, falë një kontributi të madh nga stoli, prej nga erdhën plot 66 pikë.

Rezultatet në NBA:

Brooklyn - Memphis, 126-115

Oklahoma - Denver, 129-126

Utah Jazz - Golden State, 119-116

Clippers - New York, 126-118

Cleveland - Philadelphia, 115-101