Alarmi i zbuluar nga eksperti:
Në burgje ka të infektuar me HIV

TIRANE-Në burgjet shqiptare ka persona të infektuar me HIV/AIDS, por edhe me hepatite B e C si dhe sifiliz.

Një studim i bërë nga "Stop AIDS" në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë, raporton se burgjet duhet të mbahen nën kontroll, pasi përbëjnë mjedise me rrezik për shpërthimin e këtyre sëmundjeve.

HIV/ AIDS dhe hepatitet gjenden edhe në burgjet tona. Sipas Arian Bocit, specialist që ka kryer studimin për situatën e sëmundjeve infektive në burgjet tona, në një intervistë për "Shqiptarja.com" shpjegon se këto mjedise mund të përbëjnë një rrezik për shpërthimin e epidemeve, për shkak të sjelljeve të rrezikshme të të burgosurve.

Si rezulton situata në burgje në lidhje me këtë infeksion apo infeksionë të tjera të lidhura me sjelljet me rrezik?
Që nga identifikimi i rastit të parë HIV pozitiv në vitin 1993 Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me prevalencë të ulët përsa i përket HIV/AIDS, por me mundësi shpërthimesh në grupet në rrezik, siç janë përdoruesit e drogave me injektim, meshkujt që kryejnë seks me meshkuj, punonjëset e seksit, etj. Në këtë kontekst dhe popullata e burgosur nuk është një përjashtim. Pra më konkretisht, në sistemin e burgjeve kemi të njëjtën panoramë si në popullatën e përgjithshme, por këtu ka një veçanti që burgjet janë mjedise me rrezikshmëri të madhe për shpërthimin e infeksioneve të ndryshme, si HIV/hepatit B dhe C, sifiliz apo infeksionë të tjera seksualisht të transmetueshme.

Pse burgjet janë mjedise me rrezikshmeri të lartë për këto infeksione? A nuk janë burgjet mjedis i izoluar?
Personat që vuajnë dënimin në burgje janë persona që vijnë nga komuniteti, që do të thotë se në jetën e tyre të mëparshme mund të jenë përfshirë në sjellje të ndryshme me rrezik, si psh: marrëdhënie seksuale të pambrojtura me një apo me shumë partnerë të cilit/eve nuk iu njihet statusi shëndetësor në lidhje me këto infeksione, përdorim të drogave me injektim dhe shkëmbim të shiringave apo mjeteve të injektimit me një apo më shumë persona, marrëdhënie homoseksuale (seks anal) të pambrojtura, etj. Pra këta persona, të cilët tashmë gjenden në mjediset e burgjeve bartin me vetë sjelljet me rrezik por dhe mundësinë e përhapjes së këtyre infeksioneve tek të burgosurit e tjerë. Janë vatra të mundshme shpërthimesh epidemike.
arian broci(Ne foto: Arian Boci)
Si mund të ndodhin këto shpërthime, kur HIV/AIDS dhe shumë infeksione të tjera s'merren nga përdorimi i të njëjtave mjedise publike?
Rreziku më kryesor i përhapjes së HIV/AIDS në burgje është përmes përfshirjes së një personi të infektuar në marrëdhënie homoseksuale dhe përdorim të drogave me injektim, ku për vetë kushtet e izolimit mjetet e injektimit shkëmbehen dhe ripërdoren nga shumë persona në të njëjtën kohë. Kjo situatë rrit gjasat për marrjen apo shpërthimet masive të HIV/AIDS në burgje.

A kemi ne shpërthime të tilla në burgjet shqiptare? Si është situata epidemilogjike në lidhje me HIV/AIDS apo infeksione të tjera në burgjet tona?
Nga të dhënat e deritanishme situata e HIV/AIDS në burgje është nën kontroll dhe i përgjigjet prevalences në shkallë kombetare. Kemi një shifër të ulet të numrit të personave të infektuar me HIV/AIDS të cilët, sipas të dhënave tona, e kanë marrë këtë infeksion jashtë shtetit. Pra jo në sistemin e burgjeve. Kjo situatë nuk do të thotë që ne duhet të mbyllim sytë e të mos marrim masa parandaluese. Pasi edhe në burgjet tona ashtu si në çdo burg në vende të ndryshme të botës, të burgosurit mund të përfshihen në sjelljet me rrezik. E veçanta këtu qëndron se në krahasim me popullatën e përgjithshme përfshirja në këto sjellje në popullatën e burgosur kryhet në mënyrë ilegale, dhe këta persona edhe pse mund të jenë të ndërgjegjshëm për rrezikshmërinë e këtyre sjelljeve mungesa e programeve të zvogëlimit të dëmit në sistemin e burgjeve, si psh: ofrimi kondom falas apo shiringa një përdorimshe, bën që këta persona në mënyrë të ndërgjegjshme të përfshihen intensivisht në sjellje të tilla.

Pse këto programe nuk lejohen në burgje, kur në fakt prania e tyre mbron shëndetin e popullatës së burgosur?
Sistemi i burgjeve për shkak të elementëve të sigurisë por edhe të politikave përkatëse ka disa kufizime në marrjen dhe ofrimin e programeve të zvogëlimit të dëmit. Edhe në vende të ndryshme të botës ka kufizime të tilla. Por kohët e fundit duke parë rëndësinë social-ekonomike dhe shëndetësore të këtyre programeve shume vende të Europës kanë adaptuar ligjet përkatëse dhe tashmë lejojnë praninë e kondomëve apo shiringave për injektim droge në burgje. Duhet pranuar realiteti që në burgje ka pasur, ka dhe do të ketë sjellje të rrezikshme për marrjen e infeksionit HIV/AIDS.
 

SHOQATA
Prej vitesh shoqata “STOP AIDS” punon në burgje për parandalimin e përhapjeve të sëmundjeve infektuese. Në burgun "Ali Demi" dhe atë të Vaqarrit janë ngritur Qendrat e Testimit dhe Këshillimit Vullnetar për HIV/AIDS me qëllim rritjen e kapaciteteve parandaluese dhe diagnostikuese në sistemin e burgjeve.


Shkrimi u publikua sot (3.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet