Alarmi ish guvernatorit, Cani:
2012, po fryn erë “piramidash”

Alarmi ish guvernatorit, Cani: <br />2012, po fryn erë “piramidash”
TIRANE - Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani në një intervistë për të përditshmen Shqiptarja.com, konstaton shenja të rrezikshme paralelizmi midis situatës aktuale të kredive të këqia bankare dhe ngjarjeve që preceduan “piramidat”. Sipas tij, faktorët shoqërorë duhet të gjejnë një strategji të re sëbashku për të përballuar situatën sa më shpejt.

Zoti Cani, si e vlerësoni situatën aktuale të kredive të këqia? Sipas shifrave zyrtare, të Bankës së Shqipërisë apo të Shoqatës shqiptare të Bankave, del që raporti i kredisë së keqe me kredinë në total është afro 21 për qind...
Situata mendoj se është më dramatike se kaq. Fjala është për një nivel diku tek një raport 25-30 për qind midis kredive të këqia dhe portofolit të kredisë në total.

Pak vite më parë, ky raport ishte njëshifror. Çfarë ka ndodhur që pati një rritje të tillë, me ritëm kaq të shpejtë?
Kjo mund të lidhet edhe me krizën globale, siç ka lidhje me një qendrim liberal të Bankës së Shqipërisë dhe një veprim të personave të caktuar në bankat e nivelit të dytë, që kanë dhënë shifra të larta në kredi, pa e vrarë shumë mendjen për kthimin e tyre. Ata kanë vepruar kështu, kryesisht, për interesa vetjake.

E keni fjalën për veprimtari korruptive?
Pikërisht. Edhe kur isha guvernator, sinjale të ndryshme kanë ardhur, sipas të cilave zyrtarë të ndryshëm të bankave jepnin kredi kundrejt pagesës së një shume "nën dorë" nga personat e interesuar që merrnin kredinë. Kjo është jo vetëm në kundërshtim me interesat e institucionit bankar ku ata punonin, por është një fenomen, i cili është lënë të trashet dhe ka krijuar disa nga kushtet për situatën e kredive të këqia, siç po përjetohet sot.

Mund të përmendim faktorë të tjerë që kanë nxitur rritjen e këtyre kredive?
Kanë qenë edhe bankat jo shumë të kujdesshme për dhënien e kredive, sidomos për të patundshme, blerje shtëpish, apartamentesh, dyqanesh. Ato kanë shkuar me mentalitetin se, në rast mospagese, do të kalohet në sekuestrimin e pasurisë së lënë peng. Ligjërisht, kjo është normale. Praktikisht, siç po e shohim, krijon probleme të shumëllojta, sidomos kur kthehet në një fenomen masiv. Por, ka edhe raste kur bizneset kanë marrë kredi për të blerë pajisje të përdorshme për ndërtimin e infrastrukturës me shpenzime buxhetore dhe, më pas, qeveria nuk i paguan për punën e bërë. Kështu, është krijuar një numër debitorësh të këqinj, që nuk i shlyejnë dot borxhet e marra jo për faj të tyre, por të qeverisë. Borxhet e tyre janë me shifra të larta.

Çfarë duhet të bëjë shteti në këtë mes?
Këtu Banka e Shqipërisë, qeveria dhe të gjithë subjektet e interesuara të sektorit bankar duhet të përpiqen, sa më shpejt, të hartojnë një strategji të re, me një qasje të re ndaj një fenomeni të rrezikshëm, që po trashet tej parashikimeve dhe askush nuk po ve seriozisht dorë për ta ndalur. BSH mendon se ka bërë punën e vet, duke përcaktuar që, për çdo kredi, banka e nivelit të dytë të krijojë provigjionet e veta, por kjo nuk ka ndalur rritjen e kredive të këqia.

Pra, edhe qeveria ka një rol për të luajtur në këtë kuadër? Dy ditë më parë, ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi në Kuvend se propozimi i opozitës që të bllokohet hë për hë ekzekutimi i sekuestros së kolateraleve nga bankat do të sillte anarki...
Pa një bashkërendim të veprimtarisë së të gjithë faktorëve të shtetit, nuk mund të zgjidhet automatikisht situata. Nuk e quaj të rastit që, edhe në vitet 1992-1997, në pushtet ishte e njejta forcë politike si tani, që lejoi, me një tolerim kriminal, acarimin e krizës së piramidave në një pikë të tilla sa u dogj gjithë vendi.

Shihni fenomene të ngjashme midis asaj situate dhe kësaj aktualisht?
Nga disa burime kam sinjale se janë aktivizuar sërish në Shqipëri subjekte ilegale - persona privatë apo kompani - që japin para me fajde. Pra, nuk është fjala për kredi, por për fajde, me interesa shumë të larta, që nuk regjistrohen në shtet dhe as u përgjigjen rregullave të vendosura nga autoritetet shtetërore. Deri tani, asnjë organ shtetëror nuk ka thënë gjë publikisht për një fenomen të tillë, por mos të harrojmë se, kur kriza e piramidave shpërtheu, presidenti Berisha deklaronte se paratë e shqiptarëve ishin të sigurta!

Ndodhin në vende të tjera këto fenomene aktualisht?
Situata të tilla, në vende të ndryshme, ka 200 vjet që ngrenë kokë. Shtetet duhet ta shikojnë në sy realitetin, të marrin masa sa më shpejt dhe të mos fshehin shifrat, duke i thënë gjërat publikisht. Situata në Greqi u shkaktua edhe si pasojë e qendrimit të papërgjegjshëm të qeverive greke.

Bankat duhet të nxiten të japin kredi në këto kushte, apo të frenohen?
Bankat ndjekin rregullat e veta, me synim fitimin. Qeveria të merret me përmirësimin e situatës së ekonomisë reale, t'u paguajë borxhet e veta subjekteve, të krijojë kushte për punësim, të gjejë mundësi zhvillimi, jo thjesht duke shitur asete strategjike, por duke shfrytëzuar punën, pasuritë e vendit, për të rritur aftësinë e shqiptarëve për të paguar detyrimet që kanë ndaj bankave.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën