TIRANE - Menjëherë pas shpalljes së dekretit të shkishërimit nga Metropolia e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës, Komiteti i pajtimit mbarëkombëtar të gjaqeve nis një ekspeditë disa mujore. Kryetari i komitetit Gjin Marku thotë se nisma krahas takimeve me familjet në hasmëri do të orientojë misionarët e zonës për vlerësimin maksimal të këtij dekreti.

"Për çdo qytetar shqiptar, besimtar e jo besimtar, ky dekret përbën një kambanë alarmi. Ai na tregon gjendjen e rëndë dhe humnerën ku kemi rënë e mund të mbetemi për një kohë të gjatë si shoqëri nëse nuk zgjohemi e ta ndryshojmë rrugën e mbrapshtë. Ne si misionarë e kemi thënë vazhdimisht se shkaku i këtyre krimeve nuk është kanuni. Ato janë në kundërshtim të plotë me kanunin", -u shpreh Marku.

Duke ju referuar edhe ligjit 7501 për tokën si shkaku i shumë vrasjeve, Marku denoncon rastet abuzive kur sekserë të ndryshëm shkojnë tek familjet e ngujuara qoftë edhe për shkak të një aksidenti me makinë dhe kërkojnë deri 200 milionë lekë për të bërë pajtimin.


(er.ci/Shqiptarja.com)