Alarmohen tatimet: Bizneset
shkurtojnë 73 mijë vende pune

Alarmohen tatimet: Bizneset<br />shkurtojnë 73 mijë vende pune
Listat e të larguarve nga puna për periudhën shtator-tetor të këtij viti tregojnë një situatë vërtet alarmante të pushimeve nga puna të punonjësve. Sipas listave, të ndara sipas rretheve, që disponohen nga Monitor, janë rreth 73 mijë largime nga puna të deklaruara të punonjësve për shtatorin dhe tetorin 2015, shumë prej të cilëve i përkasin industrisë së këpucëve e veshjeve dhe të call center, dy sektorët që kanë qenë gjeneruesit kryesorë të punësimit në vend.

Këto të dhëna kanë shqetësuar dhe drejtoreshën e përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj, e cila në një email drejtuar stafit (që disponohet nga Monitor) u thotë atyre “Dua urgjent analizën sidomos drejtoria e VIP, janë 4800 largime dhe është alarmante. Kontaktoni çdo subjekt”.

Sipas listave, rekordin e mban Tirana me rreth 29 mijë largime. Edhe bizneset VIP kanë shkurtuar në dy muaj rreth 9500 punonjës.
Në listën e kompanive që kanë shkurtuar punonjës mbizotërojnë ato të fasonit, por edhe të call center. Ky i fundit ishte i vetmi sektor që ishte aktiv në punësimin e të rinjve vitin e fundit, por që ka deklaruar shumë shkurtime në shtator e tetor.

Shkurtime ka bërë dhe administrata shtetërore, sidomos në Tiranë, apo dhe Komunat, në kuadër të reformës së re administrative. Shkurtime kanë pasur dhe kompanitë e ndërtimit.
Rrethi i dytë që ka humbur më shumë vende pune, është ai i Durrës, me rreth 8300. Edhe në këtë qytet, ka shumë kompani fason, kryesisht veshje, që kanë ulur numrin e të punësuarve.
Në Shkodër, rezulton që biznesi i veshjeve dhe i këpucëve është në vështirësi. Një numër i madh sipërmarrjesh të këtij sektori po shkurtojnë me dhjetëra punonjës. Në Shkodër janë larguar rreth 4100 punonjës në dy muajt në fjalë.

Rreth 3000-4000 të larguar ka pasur dhe në qytetet e Elbasanit, Fierit dhe Vlorës.
Këto shkurtime masive të vendeve të punës përkojnë me fushatën anti-informalitet, me një presion të shtuar ndaj bizneseve dhe ashpërsimin e gjobave për punonjës të pasiguruar dhe deri te kërcënimet për burgim. Në kahun tjetër, ekonomia dhe konsumi po ngadalësohen, burimet e financimit kanë shteruar (banka nuk po japin më kredi), çka ka vënë realisht në vështirësi biznesin. Banka e Shqipërisë uli së fundmi për herë të dytë pritshmëritë për rritjen ekonomike, në 2.5% (parashikimi fillestar ishte 3%, që u ul në mes të vitit në 2.7%).

Sipërmarrës të sektorit të veshjeve pohojnë se ata nuk kanë më interes të shtojnë fuqi punëtore, pasi dhe situata në Itali nuk është pozitive, por edhe ambienti i brendshëm nuk është favorizues. “Po maksimizojmë burimet që kemi dhe po mbajmë personelin e kualifikuar”, thonë fasonistët, duke shtuar se sipërmarrësit tani, që “u janë prerë këmbët” po i bëjnë mirë llogaritë, duke larguar punonjësit me rendiment të ulët.

Fushata anti- informalitet shton në skemë 141 mijë persona

Megjithatë, fushata kundër informalitetit ka pasur dhe aspektin e saj pozitiv, në shtimin e numrit të punonjësve të deklaruar, që janë më të larta se numri i të larguarve. Për shtator-tetor 2015, rezultojnë të jenë futur në skemë rreth 141 mijë persona, nga të cilët rreth 90 mijë vetëm në shtator, kur filloi aksioni.
Si rrjedhojë, diferenca neto e vendeve të shtuara të punës, është rreth 68 mijë.

Megjithatë, ndërsa të shtuarit në skemë kanë qenë në pjesën më të madhe të punësuar, por në të zezë, dhe thjesht janë formalizuar (një pjesë e madhe e atyre që janë futur në skemë janë biznese individë, të vetëpunësuar), largimet masive nga puna tregojnë se rreth 73 mijë familjeve (apo 10% të totalit të familjeve shqiptare) u ka ikur të paktën një burim të ardhurash.

Krahasimi me muajt e mëparshëm, për të parë nëse numri i të larguarve ka qenë po aq i lartë, apo kjo dukuri është përshpejtuar në shtator-tetor është disi i pamundur, pasi tatimet nuk i kanë mbajtur të dhënat e detajuara në këtë formë më parë, por gjithsesi vlerësohet se situata është përkeqësuar. Nga tabelat e largimeve dhe punësimeve rezulton që sipërmarrjet që kanë larguar punonjës nga puna, nuk kanë marrë të tjerë, ndërkohë që ka dhe biznese që kanë pushuar 20-30 punonjës njëherësh. /Marrë nga Monitor/

largimet

Redaksia Online
(f.s/shqiptajra.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet 2025, Rama kërkon votën e shqiptarëve në Londër: Të përzëmë djallin, çlirojmë opozitën nga pengmarrja për hallet e udhëheqëve

Zgjedhjet 2025, Rama kërkon votën e shqiptarëve në Londër: Të përzëmë djallin, çlirojmë opozitën nga pengmarrja për hallet e udhëheqëve