Real Madridi është eliminuar nga Kupa e Mbretit në fazën e 1/8-ave pas një disfate surprizuese 3-2 ndaj Albacetes, skuadër e La Liga 2, në një ndeshje që do të mbahet mend gjatë nga tifozët e futbollit spanjoll.

Sfida nisi e ekuilibruar, por vendasit shokuan “Galaktikët” në minutën e 42-të, kur Javi Villar shfrytëzoi një goditje nga këndi dhe me një goditje me kokë dërgoi topin në rrjetë për 1-0. Reagimi madrilen erdhi në fund të pjesës së parë, me Franco Mastantuonon që barazoi në minutën 45+3, duke çuar ekipet në pushim me shifrat 1-1.

Fraksioni i dytë solli edhe më shumë surpriza. Albacete riktheu avantazhin në minutën e 82-të me Jefte Betancor, i cili finalizoi saktë për 2-1. Madrilenët u munduan të shmangnin eliminimin dhe barazuan sërish në minutën 90+1 me Gonzalo Garcian, duke rikthyer shpresën.

Por emocionet kulmuan në minutën 90+4, kur Betancor goditi sërish, duke shfrytëzuar pasigurinë në mbrojtjen madrilene për të shënuar golin e tretë dhe vendimtar për Albaceten, që vulosi triumfin historik 3-2.

Eliminimi i Real Madrid vjen vetëm pak ditë pasi klubi madrilen ndau rrugët me trajnerin Xabi Alonso pas humbjes në “El Clasico” kundër Barçës në finalen e Superkupës së Spanjës, ndërsa drejtimin e skuadrës e ka marrë Alvaro Arbeloa. Rezultati i sotëm e vë menjëherë nën presion trajnerin e ri, ndërsa për Albaceten kjo është një natë për historinë.