PRISHTINE, 24 nentor/ATSH/. - Ish-zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për procesin e statusit të Kosovës, Ambasador Albert Rohan, thotë se Kosova duhet intensivisht të marrë pjesë në procesin e integrimit evropian, ben te ditur KosovaPress. "Ka qenë një konferencë shumë interesante e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës dhe e Prishtinës. Një bashkëpunim i mirë ndërmjet dy shteteve tona. Kemi diskutuar çështje politike dhe ligjore dhe mendoj se mesazhi kryesor që mund të them është se Kosova duhet që në mënyrë më intensive të marrë pjesë në procesin e integrimit evropian", deklaroi Rohan.
Këto komente ai i ka bërë në Vjenë, në konferencën dyditore për diplomacinë multilaterale të titulluar "Mundësitë dhe sfidat për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare" e organizuar nga Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Akademinë Diplomatike të Vjenës.
Zëvendës-presidentja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, vlerëson se aktivitetet si kjo konferencë duhet t'i inkurajojnë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë atë sa më parë, duke shtuar se neutraliteti ndaj statusit është diçka që nuk duhet të ekzistojë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Për drejtorin e Akademisë Diplomatike të Kosovës, Skënder Durmishi, integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe diplomacia multilaterale kanë një rëndësi dhe prioritet të lartë në diplomacinë e Kosovës. /a.ke/








