Rreth 1 mijë pedagogë, mes tyre edhe figura të atashuara me Partinë Demokratike dhe opozitën, kanë firmosur një peticion në mbështetje të protestës së të rinjve, përmes të cilit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Peticioni, i iniciuar nga Forumi për Dialog Politik i pedagogut Ermal Hasimja, është firmosur nga rreth 10% e personelit akademik në Shqipëri, i cili, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit për vitin akademik 2023–2024, numëronte afërsisht 10 mijë pedagogë të brendshëm dhe të jashtëm.

Deklarata është firmosur edhe nga emra të lidhur me opozitën, mes tyre Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës, dhe Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit. Në listën e firmëtarëve figuron edhe deputetja e PD-së Ina Zhupa dhe ish-deputetja Sorina Koti, anëtarja e Kryesisë së PD-së Eleina Qirici, anëtarët e Këshillit Kombëtar Aleksandër Biberaj dhe Olsi Karapici, si dhe ish-kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi.

Peticioni synon të bashkojë më shumë akademikë nga universitetet e Shqipërisë rreth një deklarate me 5 pika, ku krahas dorëheqjes së Ramës i kërkojnë policisë të ndalë dhunën ndaj të rinjve, ndërkombëtarëve të ndërhyjnë si dhe vetë protestuesve të mos dëmtojnë pronën publike e private.Pedagogët i bëjnë thirrje edhe qytetarëve që të bashkohen rreth protestuesve. 

Deklarata e plotë

Të tronditur nga dhuna e pajustifikuar e ushtruar ndaj studentëve tanë dhe shkelja e dëshmuar e të drejtave të njeriut gjatë protestës, ne një grup pedagogësh:

1. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

2.⁠ ⁠I bëjmë thirrje policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit që të ndalojnë menjëherë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojë të zbatojë urdhëra të paligjshëm. Mos harroni se ata që ju japin këto urdhëra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave.

3.⁠ ⁠I bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve, njësoj siç respektohen të drejtat e qytetarëve në vendet tuaja.

4.⁠ ⁠I bëjmë thirrje protestuesve që të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private për t’i hequr çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.

5.⁠ ⁠I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë.

Pedagogë të atashuar pranë PD që kanë firmosur peticionin
Jamarbër Malltezi- Dhëndri i Sali Berishës
Argita Malltezi- Vajza e Sali Berishës
Ina Zhupa- Deputete e PD-së
Petraq Milo- Anëtar i Kryesisë së Partisë së Lirisë
Enkeleda Olldashi- Ish-bashkëshortja e Sokol Olldashit
Voltana Ademi Ish-kryetare e Bashkisë Shkodër, përfaqësuese e PD-së
Osman Metalla- Ish-deputet i PD-së
Vehap Kola- Ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së
Suzana Guxholli- Ish-këshilltare e Sali Berishës
Eleina Qirici- Anëtare e Kryesisë së PD-së
Aleksandër Biberaj- Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së
Olsi Karapici- Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së
Sorina Koti- Ish-deputete e PD-së
Aida Shehu- Aktiviste e PD-së
Gjergji Papa- Ish-deputet i PD-së
Irma Kopliku- Ish-deputete e PD-së
Viron Bezhani- Ish-kandidat për deputet i LSI-së
Enkelejda Sallaku- Eksperte e bujqësisë e PD-së
Denis Himçi- Vëllai i deputetit të PD-së, Blendi Himçi

Kliko këtu për të lexuar listën e plotë të pedagogëve që kanë firmosur peticionin