Albert Vërria, zbulohen
fotot e rolit të fundit 

Albert Vërria, zbulohen<br />fotot e rolit të fundit 
TIRANE- Sapo kemi zbuluar foton e fundit e punës së aktorit Albert Vërria, e bërë në pranverë të këtij viti, vetëm tre muaj para vdekjes. Në këtë foto me këtë kostum të përgatitur nga vetë Vërria, me pasion dhe dedikim, ai ishte përgatitur të luante rolin më të fundit të karrierës së tij. Është fotografuar në periudhën para produksionit, sepse për fat të keq një javë para xhirimeve, i brengosur sa më s’ka ai do të njoftonte regjisorin se ishte në spital... “nuk të mbaj dot peng të sëmundjes sime”, i kishte thënë...

Skenaristi dhe regjisori i njohur Andamion Murataj, fitues i “Ariut të Argjendtë” me filmin “Falja e Gjakut”, para 3-4 muajsh i kishte propozuar Albert Vërrisë për të luajtur në një film ndërkombëtar që titullohet “Contromano”. Filmi bazohet në temën e hapjes së dosjeve në Shqipëri, ku protagonist është edhe Gary Keith Griffin, drejtor fotografie i nderuar me çmimet më të rëndësishme të kinemasë, si dhe fitues i çmimit Oscar 1992.

Albert Vërrisë i ishte propozuar të luante rolin e një 80-vjeçari, një ish-spiun i sigurimit. Sa e kishte lexuar rolin, kishte mbetur një natë të tërë pa gjumë. E kishte dashuruar aq shumë këtë rol, saqë e veshi veten edhe me kostumin e personazhit, që në takimin e parë me regjisorin. Dhe nëse regjisori nuk do ta aprovonte kostumin kishte gati batutën për personazhin e ri: “Ky të gjitha i bën!” dhe funksionoi.
Filmi ku do të luante Albert Vërria ishte fitues në Projektin “Memoria” të mbështetur nga “Pulia Film Comission” në Itali.

Por aktori s’arriti të realizonte rolin e tij të ëndërruar, për shkak të sëmundjes së rëndë, që e mbajti gjatë në spitalet e Tiranës.
Në gazetën “Shqiptarja.com” vjen një rrëfim shumë interesant i momenteve të fundit të jetës si aktor të Albert Vërrisë që do të pëfshihej në një film ndërkombëtar dhe me një staf prestigjioz, para se sëmundja t’ia ndërpriste aktivitetin. Regjisori i tij, Andamion Murataj, rrëfen se çfarë ndodhte me të, kur aktori bënte prova për rolin e fundit të jetës së tij...
 
Andamion, mësuam se i ndjeri Albert Vërria ka pasur një propozim për të luajtur te filmi juaj me temë dosjet e komunizmit. Nëse është kështu, a mund të na rrëfeni sesi e keni njohur Albert Vërrinë?
-Po. Filluam punën bashkë për filmin “Contromano” - i mbështetur nga Apuglia film Comission, si pjesë e projektit Memoria. Karakteri në film është në moshë madhore dhe në fazën parapërgatitore punova me Albert Vërrinë për karakterin.
 
Dhe si shkuan provat?
-Berti, kur ia dërgova skenarin më tha se do të mendohet mirë e do të më marrë në telefon, sapo të jetë i sigurt. Kur më merr të nesërmen, unë isha me zemër të ngrirë, se nuk ma merrte mendja që do më telefononte aq shpejt. Më mori e më thotë: “-E kam lexuar 4 herë. Kam qenë pa gjumë...” “-Bukuri, -thashë, -dua të vij të të takoj”. I thashë se po vij me Edmond Budinën, se ka rolin kryesor. Meqë je i pamundur, po vijmë në Vlorë. “-Jo, -tha, -vij unë”. Shumë shpejt më takon në Tiranë. “-Kam marrë dhe kostumin me vete”, -tha. Unë mbeta...!
 
Kur ka ndodhur kjo bisedë, në cilën periudhë?
-Bëhet fjalë, në mos gaboj, diku nga fundi marsit, ose fillimi i prillit. Po, po në pranverë ka qenë.
 
A ishte në gjendje të mirë shëndetësore në atë periudhë aktori Albert Vërria?
-Jo, jo, hynte e dilte nga spitali. Dhe vetëm një javë para xhirimeve më thotë: “-Andamion, unë isha në urgjencë në Tiranë dhe nuk dua të të mbaj peng, nuk e di më nëse do të jem në gjendje në ditën e xhirimit”. Oh, prit të lutem se harrova një detaj që s’më hiqet nga mendja. Kur erdhi më takoi në Tiranë dhe më tha “e kam kostumin me vete”, “Ku?, -i thashë unë. “-Ja këtu në çantë, -dhe nxjerr një kapele dhe një palë syze. Ishte një lloj kaskete, si i themi ne. Unë i thashë: “-Ç’ne me këtë kapele?” “-Kështu e kishte Enveri, -tha, -në vitet ‘70 dhe të gjithë atë kopjonin!!!!”. Ka të ngjarë që fotot me atë kapele të jenë fotot e fundit të tij.

Këto ishin disa detaje në film, për cilat unë nuk isha i sigurtë, se i thosha se nuk jam i sigurtë që një ish-punonjës sigurimi mund ta bëj këtë apo atë...”Po,  -tha, -ke të drejtë. Në përgjithësi ke të drejtë, po një si ky i bën!” Është ky një mësim shumë i madh për specifikasitetin e karakterit përkundër klishesë apo përgjithësimit.
 
Cila është përmbajtja e filmit tuaj, që siç mësuam lidhet me hapjen e dosjeve?
-Filmi “Contromano” ka në qendër përpjekjet e Adrian Borës (e luan Edmond Budina), një ish i burgosur politik i diktaturës, i cili për të rifilluar jetën e tij, aty ku i është ndërprerë, vendos të ndahet një herë e mirë me të shkuarën. Adriani ndërmerr një udhëtim në Europë në kërkim të njerëzve që kanë ndikuar në të shkuarën e tij. Ai ka vendosur t’i falë persekutorët e tij, por jo pa mësuar krejt të vërtetën që fshihet pas dënimit të tij të padrejtë. Ajo çka mëson ai është shumë më e thellë dhe komplekse nga ç’ishte përgatitur të përballonte.
 
Andamion, prej vitesh ju nuk jetoni më në Shqipëri, por në SHBA, si ju lindi ideja e përfshirjes në projektin tuaj të aktorit Albert Vërria?
-Së pari, më duhej një aktor që i "reinvent" karakteret. Ne kemi parë shumë karaktere sigurimsash në film, por më duhej dikush që të kuptonte atë çka ishte kyçi njerëzor, dobësia pas një karakteri negativ dhe ta bënte të besueshëm, jo fotokopje të asaj që kemi parë over and over. Nga ky këndvështrim specificiteti që më ndihmoi shumë, më bëri t’i shtoj karakterit detaje dhe Albert Vërria ishte ndihmesë e dorës së parë. Ai bënte çdo përpjekje të fitonte mbi sëmundjen dhe nuk u dorëzua - jetoi si artist deri ditën e fundit, plot plane, dëshira për role të mira. Ishte i lumtur si fëmijë.
 
Pra, ju thatë se për arsye se iu përkeqësua shëndeti nuk arriti në xhirimet e filmit.
-Jo. Me të punova në periudhën para produksionit. Pastaj kur më njoftoi një javë para xhirimeve që ishte në spital, unë i thashë që “s’ka asnjë film vlerën e jetës. -Bëhu mirë, se do ketë filma të tjerë. Kjo është më e rëndësishmja.
 
Ke foto me provat e paraproduksionit? 
-Kam vetëm një foto nga ajo dita që tha “jam me kostum”. Është edhe një foto në një muzeum diku - jo fort i qartë. Është ashtu si e kisha vizionuar unë në rol me këtë kapelën e zezë, por ai nuk donte të dukej BUKUR, por AUTENTIK. E kupton diferencën e një aktori të vërtetë...?!. Jam i nderuar që isha bashkëpunëtori i tij i fundit.
 
Po tani, në cilën fazë janë xhirimet te filmi juaj. Çfarë ndodhi pasi u sëmur Albert Vërria. Duke ju falënderuar që po na sillni në kujtesë momentet e fundit të jetës së tij si artist, a mund të ma thoni dhe si vajti puna e rolit?
 
-Nuk arriti ta luajë rolin, se u shtrua ne spital. Por megjithatë rolin unë ia besova Birçe Haskos. Edhe pse e theksoj performancën e shkëlqyer të Birçe Haskos, nuk mund ta harroj atë dedikim të paparë të Albert Vërrisë. Megjithëse i sëmurë erdhi të më takonte. Edhe pse unë i thashë se vij në Vlorë me Edmond Budinën, ai këmbënguli se do të vinte vetë në Tiranë. Dhe erdhi i përgatitur me të gjitha, të gjitha që herën e parë që e takoja... Dje, që mësova se Albert Vërria ndërroi jetë isha shumë keq...

Ndaj duke e kujtuar dedikimin e tij, unë doja të shtoja se në Vlorë, teksa ndërtohen monumente heronjsh apo rrugë e rrugica lungomaresh - do ishte mirë që të ishte shëtitorja e yjeve, dhe në atë shëtitore të kishte yllin e tij Albert Verria. Nëse nuk arrijmë t’i nderojmë artistët tanë në të gjallë, së paku ta bëjmë kur të na lënë.
 
Si po ecin xhirimet e filmit juaj. Kush janë protagonistët?
-Filmi është bërë nga katër filma të shkurtër që në vetvete janë katër histori-episode në vende të ndryshme europiane, por të ndërlidhura midis tyre. Në role kryesore janë Edmond Budina, Birçe Hasko dhe Eva Alikaj, Drejtor i Fotografisë se filmit "Contromano" është Gary Griffin, drejtor fotografie i shumë filmave fitues të çmimit Oscar dhe të festivalit të Sundance në Amerikë.
verria

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Ja reagimi i kryeministrit Edi Rama (VIDEO)

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Ja reagimi i kryeministrit Edi Rama (VIDEO)