Albin Kurtin s’e keni dëgjuar kështu asnjëherë

Albin Kurtin s’e keni dëgjuar kështu asnjëherë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Gabriel Escobar nuk e kupton Serbinë dhe i bën lëshime. Kam dallime me të, në çështje si Ballkani i Hapur. Escobar e përkrahë Ballkanin e Hapur, unë jo. Ballkani i Hapur shikon nga Rusia dhe u formua në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi në Kosovë. Nuk e kuptoj pse KFOR-i nuk po i heq barrikadat. Nëse KFOR-i nuk dëshmohet në rolin e vet, do të dëshmohemi ne dhe do t’i heqim barrikada në Veri”.

Këto janë vetëm disa nga deklarimet ekskluzive që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë në një intervistë për median boshnjake Istraga.

Me një gjuhë tejet të drejtpërdrejtë dhe aspak diplomatike në intervistë thotë se i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e kupton Serbinë dhe lojën që po bën ajo, derisa ka kritika në përgjithësi me qasjen e Perëndimit në raport me Serbinë.

Sa i përket posaçërisht Gabriel Escobar-it, Kurti pohoi se ka edhe mospajtime të tjera me të, siç është çështja e Open Balkan.

“Jam dakord me shumë nga ato që thotë zoti Escobar, por ka edhe disa gjëra ku nuk pajtohemi. Për shembull, ne kemi konstatuar se kemi mendime të ndryshme në lidhje me projektet e Open Balkans. Dhe nga ana tjetër, mendoj se ai (Escobari) dëshiron të mirën për Serbinë. Ai i uron mirë edhe Kosovës. Ai i uron mbarë rajonit tonë, por zoti Escobar mendon se diplomacia, me sjellje jashtëzakonisht të mira ndaj Beogradit, do t’i kthehet atij. Por, ne që jetojmë këtu e dimë që nuk është kështu. Sepse Beogradi, duke mos qenë demokratik, vetëm sa përforcon pikëpamjen se bujarinë e kuptojnë si frikë ndaj tyre”, tha Kurti.

Në pyetjen e radhës, gazetari i thotë Kurtit se a mos i duket atij se Escobar po i bën lëshime Serbisë.

“Mendoj se sjellja dhe deklaratat e zotit Escobar ndaj Beogradit janë lëshime”, tha Kurti.

“Por nga ana tjetër Beogradi nuk i kupton këto lëshime. Ata nuk mendojnë se janë virtyt i Escobar këto lëshime. Ata nuk mund të mendojnë se kjo është bujaria e Amerikës. Ata mendojnë, se kanë frikë nga ta. Kështu thonë ‘le të kërkojmë edhe më shumë’. Mendoj se edhe zoti Escobar, nëse nuk e ka kuptuar deri tani, do ta kuptojë shumë shpejt se kjo bujari ndaj Beogradit nuk ia vlen”.

Gazetari i mediumit boshnjak nuk ndalet me kaq. I thotë Kurtit se “që kur Escobar erdhi në pozitën e të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi janë bërë të paqëndrueshme”.

Prandaj, e pyet, “a është kjo pasojë e lëshimeve ndaj Beogradit?”.

“Mendoj se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e situatës në të cilën kemi neutralitetin e rremë të Beogradit ndaj Federatës Ruse. Dhe nuk mund të jesh neutral midis zjarrfikësit dhe zjarrit. Çfarë neutraliteti është ai. Por Beogradi pretendon të jetë neutral në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës. Ky neutralitet është i rremë. Por nga ana tjetër, ju keni neutralitetin e Perëndimit demokratik ndaj këtij neutraliteti të rremë. Neutraliteti i Perëndimit ndaj neutralitetit të Serbisë është neutralitet i vërtetë”, pohon Kurti derisa luan me fjalën neutralitet.

“Ndërsa neutraliteti i Serbisë ndaj Federatës Ruse është neutralitet i rremë. Mendoj se nga kjo premisë kemi këto pasoja të sjelljes së Beogradit. Mendoj se shumë shpejt zoti Escobar do ta kuptojë se t’i japësh diçka Serbisë nuk e bën atë më të mirë. Në të kundërtën. Mendoj se kjo lidhet me faktin se Beogradi nuk është distancuar nga e kaluara e tij kriminale dhe nga regjimi i Millosheviçit. Nga ana tjetër, nuk u distancua nga e kaluara kriminale e Kremlinit dhe presidentit Putin. Mendoj se ky mos distancim i dyfishtë i Beogradit është problem, sepse Serbia nuk mund të bëhet kurrë demokratike dhe të jetë në paqe me fqinjët e saj”.

Sa për qëllimet e Serbisë, Kurti deklaron se ato janë të qarta dhe se po dëshirojnë sërish të kthehen në atë që njihet si shkëmbimi i territoreve.

“Mendoj se në të njëjtën kohë presin, jo vetëm rezultatin e luftës në Ukrainë, por edhe ndryshimin e administratës në Uashington. Ata do të donin t’i rikthenin disa nga projektet që kishin para se të bëhesha kryeministër, që është shkëmbimi i territoreve. Ishte koha e Grenelit ku Beogradi donte të përdorte rrethana në të cilat nuk kishte vëmendje të mjaftueshme për historinë dhe vullnetin e popullit, por kush është më i fortë merr më shumë. Dhe unë mendoj se në këtë kuptim ata tani duan të rrisin edhe më shumë këtë tension që ekziston sot në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që Uashingtoni dhe Brukseli t’i dëgjojnë”.

Kurti në pjesën më të madhe të intervistës ka folur për situatën në Veri. Kryeministri i Kosovës tha se barrikadat atje janë nën direktivat e Vucic-it, derisa deklaroi se nuk e kupton KFOR-in përse po ngurron t’i largojë barrikadat.

“Këto barrikada ishin pjesa e dytë e episodit të parë, që ishte se serbët nga veriu morën urdhër nga Beogradi që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës”.

Kurti pohoi se “nuk dua t’i zëvendësoj serbët që ishin në sistemin e institucioneve tona me shqiptarë. Por gjithashtu mendoj se gjithnjë e më shumë serb, madje edhe ata që nuk kanë qenë në punë më parë, duhet të aplikojnë për t’u punësuar në sistemin tonë, që është sistemi i Republikës së Kosovës, shtet i përbashkët i të gjithë qytetarëve dhe çdo komuniteti, përfshirë këtu. komunitetit serb”.

“Ky ishte episodi i parë që u larguan nga institucionet. Është shumë e qartë për mua pse e bënë këtë. Sepse Beogradi e refuzoi propozimin e Gjermanisë dhe Francës, propozimin e BE-së. Për të paketuar refuzimin e atij propozimi, u larguan nga institucionet dhe më pas e shfajësuan”.

Për shtyrjen e zgjedhjeve në Veri, Kurti tha se u vendos ashtu, sepse “nëse do të bënim zgjedhje tani, ndoshta do të kishte incidente”.

“Por problemi më i madh do të ishte që njerëzit të mos dilnin në zgjedhje, sepse serbët kishin shumë frikë nga strukturat ilegale në Beograd, të cilat tani me këto barrikada janë bërë banda kriminale”.

“Nga ana tjetër, nuk kanë më justifikim për tabelat KM-së, sepse ne thamë se nuk do të ndëshkojmë askënd, por le t’i japim një shans bisedimeve, negociatave për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Dhe tani që nuk kanë asnjë justifikim, po bëhen edhe më agresivë. Mendoj se agresiviteti i tyre është në fakt dobësia e tyre. Ata u përpoqën me disa demonstrata, por u duhet shumë mund dhe shumë para, shumë transport me autobusë për të mbajtur një tubim. Historikisht, ne shqiptarët kemi një traditë të thellë të organizimit të demonstratave. Gjatë shekullit të njëzetë, Serbia ka shumë më tepër traditë për luftë sesa për demonstrata”, deklaroi Kurti.

Por, traditë kanë edhe për barrikada, për të cilat Kurti ka pasur një përgjigje të gjatë.

“Kanë edhe për barrikada traditë, por kanë për barrikada që tani janë në sanduiç. Nga njëra anë, ka barrikada që janë shprehje e pamundësisë për të krijuar një lëvizje civile. Nga ana tjetër, ata janë gjithashtu të pafuqishëm në kuptimin që nuk dinë asgjë tjetër. Ata nuk janë krijues. Ata nuk dinë gjë tjetër veçse të përsërisin gabimet e viteve nëntëdhjetë kur ndërtuan barrikada në Bosnje dhe Kroaci”.

“Pra, në një farë mënyre dinë vetëm të përsëriten. Por nëse e përsëritni veten, atëherë po e vendosni veten për dështim. Unë mendoj se ata do të dështojnë. Këto barrikada nuk janë barrikadat e protestave studentore të 68-ës në Paris. Këto janë barrikadat e njerëzve që, në bazë të uniformave të tyre të errëta, të qenurit tullacë dhe me mjekër, imitojnë Drazha Mihailovicin”.

“Ata kanë armë dhe vendosin barrikada jo për të penguar kalimin e automjeteve, por për t’u mbrojtur kundër atij njeriu të uniformuar dhe të armatosur që do të qëllonte mbi automjetet që do t’i afroheshin. Pra, këto janë barrikada luftarake. Dhe mendoj se shumë është e lidhur me serbët që vijnë nga Serbia. E në fotot në rrjetet sociale shihet se si mburren dhe adhurojnë si Kremlinin ashtu edhe Ëagnerin”.

Kurti ka përsëritur se barrikadat, përkundër se Vuçiç mundohet ta mohojë, janë prodhim i financuar në Beograd.

{Edhe direktivat politike edhe financat u vijnë nga Serbia. E dini, është njësoj si kur thoshin se Serbia nuk luftoi në Slloveni, nuk luftoi në Kroaci, nuk luftoi në Bosnje-Hercegovinë. Vetëm në Kosovë nuk mund të thoshin se nuk luftuan. Natyrisht, ishte ushtria serbe gjatë gjithë kohës dhe jam i bindur se ky lloj narrative nuk do të zgjasë{.

Duke dhënë këtë përgjigje, Kurti është prehur i habitur me KFOR-in, që po vonon t’i largojë barrikadat.

“Ne i japim edhe pak kohë KFOR-it. Kështu na kërkuan. Ne kemi forcën. Ne kemi fuqinë për të hequr ato njëmbëdhjetë barrikada që u vendosën dy javë më parë. Por KFOR-i insiston që t’u japim edhe pak kohë”.

“Kemi kërkuar nga KFOR-i para Krishtlindjeve. Dhe na vjen shumë keq që KFOR-i po e vonon këtë. Nuk e di pse po ngec dhe pse po e bën. As vetë nuk e di se çfarë bisedash kanë bërë atje. Por e di që kjo nuk mund të zgjasë shumë. Së shpejti do të kemi një takim me KFOR-in për të sqaruar gjithçka. Dhe nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i heqë barrikadat ose, për arsye të panjohura për mua, nuk do ta bëjë këtë, atëherë ne do të duhet ta bëjmë vetë”.

“Sepse barrikadat bllokojnë kryesisht serbët në veri. Ato janë shkelje dhe shtypje e rendit tonë kushtetues dhe ligjit dhe rendit tonë. Por në radhë të parë është kundër lirisë së lëvizjes. Për 23 vitet e fundit, KFOR-i është mburrur se qëndron për paqen, për sigurinë dhe fillimisht për lirinë e lëvizjes. Epo, tani ai duhet të provojë veten në veprim. Mendoj se ka ardhur koha që ata të dëshmojnë veten. Nëse ata nuk do ta provojnë veten, atëherë, për fat të keq, ne do ta provojmë”.

Por, a mund të hiqen nga Policia e Kosovës dhe pa incidente?

“Nga ana jonë është e mundur” përgjigjet Kurti, “por ana tjetër është e panjohur për ne. Njerëzit janë me uniformë”.

“Nuk e dini se si do të reagojë secili prej tyre kur të afrohet policia jonë. Unë di një gjë. Ata marrin direktiva nga Beogradi. Dhe ndërsa njerëzit ndryshojnë atje, është e qartë se ajo që është autonome dhe autentike nuk vjen nga vetë qytetarët. Këto janë formacione paraushtarake që kanë strukturën dhe urdhrat e tyre. Epo, tani do të thotë nëse do të ketë incidente apo jo, varet nga urdhrat e Beogradit. Kjo vjen nga qeveria serbe dhe presidenti serb. Vjen nga këta katër – Vuçiç, Brnabiç, Vulin dhe Daçiç. Kjo është katërshja nga Beogradi që janë autoriteti kryesor dhe komandues për atë që po ndodh pas barrikadave”.

I pyetur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Kurti pohoi se “nuk është e mundur të ndërtohet një shoqëri demokratike nëse dikush është ekskluzivisht i privilegjuar gjatë gjithë kohës”.

“Sepse privilegj për dikë do të thotë diskriminim për dikë tjetër. Epo, në këtë kuptim, ajo që kërkon Beogradi është kundër barazisë. Dhe ata do të donin ta kishin këtë bashkësi komunash si armë kundër pavarësisë së Kosovës, e jo si diçka nga e cila përfitojnë serbët në Kosovë”.

“E kam thënë disa herë në Bruksel se kam përshtypjen se Serbia nuk dëshiron bashkim komunash. Sepse po të donte vërtet një bashkësi komunash, nuk do të thoshte çdo javë – nuk do ta njohim kurrë Kosovën. Të kërkosh një bashkësi komunash pa e njohur Republikën e Kosovës është sikur të kërkosh diçka me përmbajtje, por pa formë. E pamundur. Nuk mund të kesh byrek pa tigan. Beogradi po përpiqet vazhdimisht të shpikë një makinë kohe. Nuk ka makineri kohe. Ai tren është larguar. Nuk mund të kthehemi as në ’99. as në vitin 2007. Këtë këmbëngulje për ngjarjet politike përmes makinës së kohës, po e mbajnë peng Serbinë, por edhe gjithë rajonin tonë”, deklaroi Kurti.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja