FIER - Prej pesë ditësh çarja e një tubacioni që bën transmetimin e naftës nga zona naftëmbajtëse e Drenovës drejt qendrës së grumbullimit është çarë për shkak të amortizimit duke bërë që mbetjet hidrokarbure të përfundojnë në përroin e Gorishovës në njësinë administrative Cakran të Fierit.
Ndërkohë sipas banorëve, ndotja disa ditore ka bërë që zona të ketë një aromë mbytëse dhe të mbjellat të jenë dëmtuar rëndë.
“Mbetjet e naftës dëmtojnë sidomos ullirin. Prapë do mbjellim gjëra për të ngrënë për vete, perimet, dhe ato i dëmton. Edhe ajri është i ndotur. Po çfarë t'i bëjmë? S'kemi çfarë t’i bëjmë. Ka një javë rresht që nuk guxon të dalësh nga shtëpia, sidomos në mëngjes, nuk hap dot dritaret. Kjo është hera e parë! Edhe bima ka problem nga nafta. Kafshët sepse pinë ujë në Vjosë. Afër zonës ku ka ndodh defekti është dhe uji i pijshëm”, thonë banorët.
Ky ujë i ndotur me ngjyrë të errët dhe erë të fortë nafte përshkon disa fshatra dhe përfundon në lumin Vjosë, Park Kombëtar.
“Kompania nuk mban përgjegjësi. S'ka shtet themi ne, se Vjosa është shpallur park kombëtar apo jo? Atëhërë çfarë parku është ky?”, shprehet i revoltuar një tjetër banor.
Në zonën naftëmbajtëse të Drenovës janë 20 puse aktivë. Punonjësit e kompanisë “Alpetrol” vetëm sot kanë marrë masa duke vendosur prita në mënyrë që mbetjet hidrokarbure të mos vazhdojne te depërtojnë në lumin Vjosë. Aktualisht ata janë duke punuar në terren për të mbledhur mbetjet hidrokarbure me makineritë e tyre pikërisht në fund të Përroit të Gorishovës, në vendin e quajtur Selishtë.
Komente










