Një ditë para vazhdimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, opozita paraqitet me qëndrime të ndryshme. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njoftoi sot se do ta bojkotojë mbledhjen e së mërkurës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës. Ndërkohë, një ditë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishin konfirmuar se do të marrin pjesë në seancë, edhe pse ngërçi politik mbetet ende pa zgjidhje.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Aleancës, kryetari i partisë, Ardian Gjini, tha se vendimi për bojkot u mor nga shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë.

"Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet", deklaroi Gjini.

Sipas tij, Kosova ndodhet jashtë normës kushtetuese dhe mënyra se si janë thirrur seancat për konstituimin e Kuvendit përbën shkelje të Kushtetutës dhe mungesë respekti ndaj institucioneve.

Gjini tha se Aleanca kishte qenë e gatshme të merrte pjesë në seancë nëse ajo do të ishte thirrur brenda afateve që, sipas tij, parashikon interpretimi kushtetues, ndërsa paralajmëroi se opozita do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e situatës.

Një ditë më parë, LDK bëri të ditur se do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës me synimin për të kontribuar në krijimin e institucioneve. 

"Vendosëm që të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t'i dhënë Kosovës institucione", deklaroi deputetja Jehona Lushaku-Sadriu

Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kishte konfirmuar pjesëmarrjen e deputetëve të partisë së tij në seancën e 9 shtatorit, duke bërë thirrje që të shmangen, sipas tij, lojërat politike dhe të mundësohet konstituimi i Kuvendit.

"Ne jemi të bindur që në këtë kohë Kosova ka nevojë të ketë Kuvend të konstituuar", tha Hamza.

Seanca e së mërkurës u thirr nga kryesuesi Avni Dehari, pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Dehari kishte deklaruar se vendimi u mor pas sinjaleve për një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së lidhur me kandidatin për president, por zhvillimet e mëvonshme treguan se nuk kishte dakordësi të plotë.

Gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, ndërsa vetë LDK deklaroi se kjo çështje nuk ishte diskutuar në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar. Me bojkotin e shpallur sot nga AAK, ngërçi politik për konstituimin e institucioneve mbetet ende i hapur.