Kur duhen edhe tetë muaj për të mbërritur në zgjedhjet e aparlamentare, kanë nisur të shfaqen qëndrimet për mundësinë e një koalicioni PS-LSI. Deputeti socialist, Bashkim Fino dhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, s'përjashtojnë një aleancë të tillë.

"LSI është pjesë e një marrëveshjeje politike, e cila e ka zbatuar me korrektesë dhe do ta përmbushë përsëri me korrektesë. Në momentet parazgjedhore do ndodhë një vlerësim i gjithçkaje që ka ndodhur, të funksionit, rezultateve të prodhuara, performacën politike, perceptimit dhe ndjesive që anëtarësia ka. Forumet dhe anëtarësia e LSI do vendosë mbi strategjinë e zgjedhjeve të vitit 2013", tha Vasili.

Edhe sekretari i PS Fino, konfirmon se PS ka nisur levizjet për zgjerimin e koaliconit opozitar. "Në qoftë se çdo forcë politike, që ka si qëllim final rrëzimin e kësaj qeverie dhe që bashkohet pak a shumë në programet tona, ne jemi të hapur për ta zgjeruar koalicionin dhe nuk mund ti mbyllim derën asnjë force politike që kërkon të rreshtohet në grupimin tonë për zgjedhjet e ardhëshme 2013", deklaroi Fino.

Ndërkohë nënkryetari i LSI-së i përgjigjet edhe qëndrimeve të zyrtarëve të PD-së, sipas të cilave, PD mund të fitojë zgjedhjet edhe pa LSI. "Ka qenë një vendim i jo i lehtë përt të bërë një aleancë me PD. Interesat e vendit dhe të integrimit na e imponuan atë kohë këtë Korrektesa jonë ka qenë pa asnjë te metë, korrektesë që na ka shoqëruar dhe në zgjedhjet e 2011, pa të cilën disa objektiva elektorale të maxhorancës s'do të realizoheshin", tha Vasili. Ndërsa Fino shprehet optimist se PS do udhëheqë një kaolicion të madh në zgjedhjet e vitit 2013.

"Ne i kemi dhënë mesazhet, i ka dhënë kryetari i kemi dhënë dhe ne. Natyrisht që është shumë herët për të thënë, por mesazhet janë inkurajuese dhe janë për bashkëpunim të gjithanshëm", tha Fino.

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com)

(Gre.M/Shqiptarja.com)