Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi sot se modernizimi i Forcave të Armatosura mbetet një prioritet i palëkundur për Shqipërinë, si vend aleat i NATO-s, ndërsa vlerësoi si zhvillim pozitiv marrëveshjet e fundit në fushën e industrisë ushtarake dhe masat për menaxhimin e emergjencave civile në prag të sezonit veror.
Në një konferencë për mediet me gazetarët, Nufi u ndal edhe tek mbrojtja kibernetike, duke thënë se Shqipëria ka investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në këtë fushë, që pasi përballjes me sulmet kibernetike në vitin 2022 nga Irani. Shtet, i cili sipas Nufit, vijon të organizojë sulme pothuajse çdo ditë drejt strukturave tona.
“Që nga 2022 Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëdha sa i përket qëndrueshmërisë së sistemeve të shërbimit, Shqipëria ka mbi 95% të shërbimeve online, pjesa më e madhe e shërbimeve ofrohet online dhe çdo cenueshmëri do sillte pasoja të rënda, si në 2022, kur është bërë punë e jashtëzakonshme për të rikuperuar dëmet e shkaktuar. Që nga ajo kohë Shqipëria ka investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në mbrojtjen kibernetike. Shqipëria ka një pozicionim shumë të mirë sa i përket përgatitjes për përballimin e rreziqeve të sulmeve kibernetike. Sot jemi të 6 në rang botëror sa i përket përgatitjes së strukturave. Bashkëpunimi që kemi me SHBA është shumë i lartë, bashkëpunimi i përditshëm që kemi me ata bëjnë që strukturat tona të jenë të gatshme të përballojnë çdo lloj sulmi. Shqipëria është target i sulmeve kibernetike çdo ditë dhe kjo është e theksuar nga faktorë të lidhur me regjimin e Iranit”, tha Nufi.
Dy stërvitje në Kroaci dhe një tjetër në Shqipëri do të zhvillohen në kuadër të aleancës ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kraci.
“Sot që flasim ka një stërvitje që zhvillohet mes NATO-s dhe ushtrisë serbe. Fakti që kjo stërvitje ndodh dhe fakti që Shqipëria e Kroacia janë pjesë e NATO-s, dhe në Kosovë është prezenca e KFOR-it që është mision i NATO-s, tregon që stërvitja e NATO-s atje është më shumë nxitje flake mediatike atje”, tha ndër të tjera ministri Nufi.
Nufi u pyet edhe për angazhimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe se kur do të dërgojë trupat. Ai tha se një skuadër është dërguar për të parë vendndodhjen dhe situatën në terren, por nuk dha afat se kur do të dërgohen trupat.
“Në kuadër të angazhimit në Bordin e Paqes, Shqipëria ka marrë masa për shqyrtimin e situatës në Gaza. Rripi i Gazës është nën kontrollin e sigurisë së IDF-së dhe çdo lloj dislokimi do të bëhet në koordinim me autoritetet përkatëse.
Kemi dërguar një skuadër për të parë nga afër vendndodhjen dhe situatën në terren. Shqipëria ka eksperiencë në fushën e misioneve ndërkombëtare, me angazhime në Irak, Afganistan, Bosnje dhe Letoni. Kemi pasur edhe ushtarakë që kanë humbur jetën në misione si në Irak apo Letoni.
Ushtria, Shtabi i Përgjithshëm dhe komandat kanë një nivel të njohur gatishmërie dhe përgatitjeje për një mision në Gaza. Situata paraqet rrezikshmëri të shtuar për shkak të përfshirjes së disa aktorëve, ndërsa Hamasi financohet nga Irani.
Ajo që kemi bërë deri tani është marrja e të gjitha masave për të dërguar një skuadër vlerësuese, në mënyrë që të kuptojmë se ku dhe si mund të vendosemi. Sa i takon kushteve që do të kërkohen dhe nivelit të trupave që mund të dërgohen, më pas do të merret një vendimmarrje e plotë”, tha Nufi.
Deri në verë, autoritetet presin që kompleksi i prodhimit të dronëve në vendin tonë të jetë plotësisht në funksion. Drejtuesi i Kompanisë KAYO Ardi Veliu, deklaroi se prodhimi i dronëve 'Made in Albania' është vonuar për shkak të problemeve të furnizimit nga Konflikti në Lindjen e Mesme.
Lajmi në përditësim....
Komente











