TIRANE- Partia Demokratike synon që të mbajë afër sa të mundet aleatët e saj për të mbajtur një qëndrim bojkotues në Kuvend. Gjatë ditës së djeshme, Lulzim Basha mblodhi në selinë e Partisë Demokratike disa prej aleatëve që i kanë mbetur Partisë Demokratike, nga ku u diskutua për çështjen e bojkotit të mundshëm të punimeve parlamentare.

Takimi
Takimi ndërmjet Bashës dhe një pjesë të partive aleate, u zhvillua ditën e djeshme në ambientet e selisë së PD-së ku ra në sy që të vetmit përfaqësues të opozitës, ishin Lulzim Basha, Fatmir Mediu dhe Dashamir Tahiri. Në këtë takim tri përfaqësues të opozitës kanë diskutuar lidhur me qëndrimin që do të mbajnë për aktivitetin parlamentarë, pasi tanimë ata kanë mundësi që të bojkotojnë procesin në Kuvend. Burime nga Partia Demokratike bënë të ditur se nuk u arrit një marrëveshje paraprake ndërmjet përfaqësuesve të partive opozitare.

Të njëjta burime bënë me dije se përgjatë tri ditëve në vijim, do të ketë konsulta intensive ndërmjet palëve në mënyrë që të arrihet një marrëveshje ndërmjet PD-së, PR-së dhe PDIU-së. Pas këtij takimi, kreu i PD-së, Lulzim Basha theksoi se në bisedën me aleatët e tij, kishte diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe se për këto, palët do të merrnin një vendim.

“Ne jemi me qytetarët, me ata që janë në fund të fundit duke ndierë ditë për ditë në kurrizin e tyre, në xhepat e tyre hallet e panumërta që po u vërtit kjo qeveri me papërgjegjshmërinë, paligjshmërinë dhe mungesën totale të ndjeshmërisë, pashpirtësinë e saj në vendimet korruptive dhe mosvendimet sa i përket ekonomisë së vendit, papunësisë dhe varfërisë. Po koordinojmë me aleatët tanë aksionin tonë opozitar sa i përket shkeljes së paprecedentë të Kushtetutës, ligjit, rregullores së Kuvendit.

Pra sjelljet anti-ligj, anti-kushtetues dhe në thelb anti-europiane të kësaj mazhorance, e cila rekordit të saj të zi në opozitë si bllokuese e statusit po i vendos një rekord tjetër të zi, tashmë si mazhorancë, si faktorë dhe dirigjente e rrezikimit të aspiratës mbarë popullore të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këto janë çështjet të cilat po diskutojmë dhe në vijimësi do t`ju mbajmë të informuar”, tha Basha.

Pas kreut të PD-së, aleati më i ngushtë historik i Partisë Demokratike, Partia Republikane me në krye Fatmir Mediun, theksoi se përpara nisjes së seancës plenare të Parlamentit do të merret edhe vendimi nëse opozita do të marrë pjesë ose jo në punimet plenare. “Do të vendosim së bashku të enjten në mëngjes, kush do të jetë veprimi. Nuk pranojmë që të jemi pjesë e një Parlamenti që nuk funksionon sipas ligjit”, tha Mediu.

Përçarja
Në takimin e djeshëm ra në sy se, përfaqësues i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, ishte deputeti Dashamir Tahiri dhe jo kryetari i partisë Shpëtim Idrizi. Prezenca e Tahirit në selinë blu, konfirmojnë edhe më shumë faktin se ndërmjet Bashës dhe Idrizit ka një përplasje. Kjo mosmarrëveshje ndërmjet kreut të PD-së dhe kreut të PDIU-së, filluan rreth 3 javë më parë kur Idrizi doli kundër disa qëndrimeve të Partisë Demokratike, siç ishte rasti i tryezës së qeverisë për amendamentet e ligjit për “Nëpunësin Civil”. Krahas kësaj, disa burime bëjnë me dije se një përçarje tjetër është edhe ndërmjet Bashës dhe Ndokës.

Mësohet se kryetari i PDK-së, Nard Ndoka është kundër qëndrimit të opozitës për të bojkotuar aktivitetin parlamentar, me argumentin se ai ka qenë kundër kësaj gjëje edhe në kohën kur ishte në opozitën socialiste. Kësisoj, brenda koalicionit opozitarë kanë filluar çarjet e para ndërmjet relatave të krerëve të partive opozitare.

Kjo gjë bëhet edhe më problematike pasi disa nga deputetët e partive opozitare si Shpëtim Idrizi, Nard Ndoka, e Fatmir Mediu janë bërë deputet nga listat e kandidatëve të PD-së dhe Basha mund ta quaj edhe si obligim të tyre për të marrë një vendim të unifikuar. Kësisoj, pritet që nga brenda kampit opozitarë të filloj edhe një debat i ashpër lidhur me qëndrimet politike të partive aleate, e cila pritet që të dal me një vendim përfundimtar ditën e enjte.

Shkrimi u publikua sot (26.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)