A mund të arrestohet Guvernatori i Bankës së Shqipërisë për vendimet që vijnë për shkak të detyrës? Ky ishte diskutimi që nxiti polemika të mëdha në Komisionin e Ligjeve ku u shqyrtua projektligji i propozuar nga vetë Banka e Shqipërisë dhe i depozituar në Kuvend si nismë e Këshillit të Ministrave.

Neni 72 i projektligjit, parashikon për Guvernatorin imunitet ndaj arrestit me burg apo në shtëpi dhe çfarë do masë tjetër shtrënguese nëse ai akuzohet për vepra penale të cilat lidhen me ushtrimin e detyrës dhe funksionit të tij në mënyrë që të ruhet pavarësia e shmangen presionet ndaj institucionit më të lartë financiar në vend.

“Ne në nenin 72 kemi propozuar që arresti i guvernatorit nësë do të kërkohet duhet të verifikohet nëse ka prova të qenësishme dhe nëse vepra penale për të cilat kërkohet arresti ka lidhje me detyrën. Nuk është imunitet por dispozitë garantuese. Arsyeja pse mbrohet guvernatori, nuk mbrohet për shkak të të qenies së tij guvernator, mbrohet për shkak të elementit që të funksionojë i pavarur pa frikën që një ditë një organ i një pushteti tjetër vjen dhe e pengon për një arsye ose për tjetër për të ushtruar detyrën. Nuk mbrohet guvernatori si person. Ne mbrojmë institucionin duke mbrojtur guvernatorin”, tha Holta Zaçaj, zv. Guvernatore e Parw e Bankws sw Shqipwrisw. 

Por në cilat raste lejohet arrestimi apo një tjetër masë shtrënguese ndaj Guvernatorit?

“Nësë ndodh një aksident dhe vret dikë në rrugë arrestohet… nëse është për shpërdorim detyre shkon në kuvend.. që të përcaktojë nëse akuza ka lidhje me ushtrimin e detyrës. Nëse ka lidhje me ushtrimin e detyrës nuk mund të arrestohet”, vijoi Zaçaj. 

Praktikisht është kuvendi, i cili njësoj si në rastin e deputetëve do të japë viston e arrestimit apo jo të guvernatorit, duke gjykuar nëse vepra penale që rëndon mbi të, ka apo jo lidhje me ushtrimin e detyrës.

Le të marrim një shembull: nëse guvernatori i Bankës së Shqipërisë akuzohet për korrupsion dhe kuvendi vlerëson se vepra për të cilën gjykohet lidhet me funksionin e tij, arrestimi nuk mund të kryhet. Për socialistin Damian Gjiknuri, guvernatori bëhet praktikisht i paprekshëm vetëm përmes një dispozite ligjore, duke shmangur kështu normat kushtetuese.

“Po i japim guvernatori me ligj ca garanci që nuk i ka askush veç presidentit… kjo është too much. Ne pranojmë dështimin e drejtësisë… garancinë ta jep gjykata. Duhet të jetë në nivel kushtetues, por jo t’i jepet garanci që nuk e përcakton norma kushtetuese. Rasti i vetëm që bëhet bypass”, tha deputeti socialist. 

Një tjetër shqetësim ngrihet nga Ulsi Manja, kryetari i Komisionit të Ligjeve.

Manja: “Po në rastet kur kontrolli I banesës dhe kontrolli personal…kufizojmë hetimin. si do ti gjejë provat prokurori?”

Zaçaj: Përparësi i jepet garancisë së funksionit…

Holta Zaçaj, e cila deri para pak kohwsh ishte kryetare e Gjykatës Kushtetuese, sqaroi se projektligji është bazuar në praktikat evropiane, por a e kalon testin kushtetues në Shqipëri?

Gjiknuri: I qëndron testit në kushtetuese… nëse dikush do ta godasë?
Zacaj: Testi është kur gjykata shprehet dhe nuk mund të bëjë parashikime të tilla dhe do ta rezervoja veten për shkak edhe të funksionit që kam pasur.

Në variantin fillestar të propozuar nga vetë Banka e Shqipërisë imuniteti nga arrestimet ishte i plotë për Guvernatorin por edhe për Zëvendësguvernatorët, ndaj të cilëve nga mund të vendosej asnjë masë sigurie për çdo krim. Gjithashtu sipas projektligjit të vjetër do të ishte Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendoste për heqjen e imunitetit, ndryshe nga drafti që ka depozituar qeveria në Kuvend, me ‘imunitet’ vetëm për vendimet në krye të detyrës.