Për disa orë, qeveria turke mbeti e befasuar nga një raketë iraniane që u kap dhe u rrëzua në hapësirën ajrore të Turqisë. Në Ankara u mendua fillimisht se vendi mund të ishte bërë objektiv i kundërpërgjigjes së Iranit ndaj sulmit amerikan dhe izraelit.
Më vonë, të mërkurën më 4 mars, shërbimet e inteligjencës turke arritën në përfundimin se raketa në fakt ishte drejtuar drejt Qipros.
Ky reagim i Turqisë lidhet edhe me qëndrimin që vendi mbajti një ditë më parë në NATO. Të martën, më 3 mars, në Bruksel u mblodh Këshilli i Atlantikut të Veriut, ku marrin pjesë ambasadorët ose përfaqësuesit e 32 vendeve të Aleancës.
Në atë takim, Turqia dhe Spanja ishin dy vendet e vetme që u distancuan qartë nga sulmi i ndërmarrë nga presidenti Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Qeveria spanjolle, e drejtuar nga Pedro Sanchez, theksoi se sulmi përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ndërsa Turqia, e udhëhequr nga Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi se është një nga vendet që mund të preket më shumë nëse konflikti përhapet.
Në krahun tjetër, Holanda dhe Shqipëria ishin dy vendet e vetme që mbështetën pa rezerva Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Pjesa më e madhe e vendeve të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën dhe Italinë, mbajtën një qëndrim të ndërmjetëm. Ato nuk i dënuan drejtpërdrejt sulmet amerikane, por kritikuan kundërpërgjigjen e Iranit me raketa.
Këto vende mbështetën gjithashtu deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se Aleanca nuk do të përfshihet në përplasjen ushtarake në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, Franca dhe Britania e Madhe kanë bërë të qartë se janë të gatshme të mbrojnë interesat e tyre në rajonin e Gjirit, nëse situata përkeqësohet.
Gjatë mbledhjes, zëvendësshefi i përfaqësisë amerikane në NATO, Scott Oudkirk, shpjegoi objektivat ushtarake të operacionit kundër Iranit. Mes tyre, sipas tij, është shkatërrimi i kapaciteteve raketore dhe laboratorëve bërthamorë të Teheranit.
Ai u kërkoi gjithashtu aleatëve të bashkëpunojnë me SHBA-në duke ofruar mjete dhe armë konvencionale.
Sipas diplomatit amerikan, kjo është një shembull i asaj që ai e quajti “NATO 3.0”: një model i ri i Aleancës ku vendet europiane blejnë armë nga industria amerikane ose kontribuojnë në operacionet e udhëhequra nga SHBA, ndërsa në këmbim marrin mbrojtje të plotë nga Uashingtoni./CorrieredellaSera
Komente








Shqiperia dhe Hollanda jan frikacak kurse e verteta eshte dicka tjeter ,kush esht i mire per Amerikanet Fashist sulmuan Irakun pse ka bomba atomike,sulmuan Libine pse nuk e donin Gadafin,sulmojn Palestinezet dhe tani Iranin por askush nuk e tregon te verteten dhe kjo e gjith ndodhe pse e don Izraeli dhe asgje tjeter .
Përgjigju