Aleatët e Navalnit në alarm, nuk kanë dëgjuar nga i burgosuri i Kremlinit për 6 ditë

Aleatët e Navalnit në alarm, nuk kanë dëgjuar nga i burgosuri i Kremlinit për 6 ditë

Alexei Navalni

Aleatët e udhëheqësit të burgosur të opozitës ruse, Alexei Navalni lëshuan alarmin të hënën, duke thënë se as ata dhe as avokatët e politikanit nuk kanë dëgjuar prej tij prej gjashtë ditësh.

Navalni, i cili po vuan një dënim 19-vjeçar me burg lidhur me akuzat për ekstremizëm, duhej të paraqitej në gjykatë të hënën me video lidhje, por kjo nuk ndodhi, tha zëdhënësja Kira Yarmysh.

Ajo tha se zyrtarët e burgut thanë se lidhja me video nuk ishte e mundur për shkak të problemeve të energjisë elektrike. Avokatët ditët e fundit gjithashtu nuk kanë qenë në gjendje të komunikojnë me zotin Navalny, sipas zonjës Yarmysh.

"Tashmë është dita e gjashtë radhazi që ne nuk e dimë se ku është Alexei dhe çfarë po ndodh me të", shkroi Yarmysh në platformën X.

Navalni, 47 vjeç, është pas hekurave që nga janari i vitit 2021. Si armiku më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin, ai bëri fushatë kundër korrupsionit dhe organizoi protesta të mëdha kundër Kremlinit.

Ai u arrestua pas kthimit në Moskë nga Gjermania, ku u shërua nga helmimi me agjent nervor, për të cilin ai e fajësoi Kremlinin.

Navalni që atëherë ka marrë tre dënime me burg dhe ka kaluar muaj në izolim në një koloni penale në rajonin e Vladimirit në lindje të Moskës për shkelje të vogla.

Ai ka hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij, duke i konsideruar ato të motivuara politikisht.

Javën e kaluar, zonja Yarmysh tha se për tre ditë me radhë avokatët e zotit Navalni kaluan orë të tëra në koloninë penale, duke pritur për leje për ta vizituar atë. Letrat drejtuar politikanit nuk po i shkonin atij dhe ai nuk u paraqit në seancat e planifikuara gjyqësore me video lidhje.

Zonja Yarmysh tha të premten se zhvillimet ishin shqetësuese duke patur parasysh se Navalni së fundmi u sëmur. “Ai ndjeu trullosje dhe u shtri në dysheme. Zyrtarët e burgut nxituan drejt tij, shpalosën shtratin, e vunë Alexein mbi të dhe i dhanë ndihmën e parë. Nuk e dimë se çfarë e shkaktoi rrëzimin në dysheme, por duke patur parasysh se ai ka kufizime në ushqim, po mbahet në një qeli pa ventilim dhe me kohë minimale në natyrë, duket se i kishte rënë të fikët nga uria.”

Ajo shtoi se avokatët e vizituan atë pas incidentit dhe ai dukej "pak a shumë mirë".

Zoti Navalni ishte planifikuar të transferohej në një koloni tjetër penale të “sigurisë së posaçme”, një strukturë me nivelin më të lartë të sigurisë në sistemin rus të burgjeve.

Transferimet e burgjeve ruse njihen për kohën e gjatë që marrin, ndonjëherë edhe me javë, gjatë të cilave nuk ka qasje tek të burgosurit dhe informacioni rreth vendndodhjes së tyre është i kufizuar, ose i padisponueshëm./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin me sopatë, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin me sopatë, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja