TIRANE - Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i cili ka marrë 11838 vota në zgjedhjet e 23 qershorit, kërkon nga kryeministri i kabinetit të ri qeveritar një post ministror, kjo në bazë të gjithë kontributeve që ka dhënë kjo parti për 8 vite në opozitë. “Nuk kemi bërë asnjë negociatë me Ramën për të ndarë poste ministri. Nuk jemi ulur për të bërë biseda të tilla pas zgjedhjeve. Mendoj se duhet të shkojmë në negociata direkte, sepse ç`kuptim ka partneriteti, ç`kuptim ka lodhja jonë e përbashkët në opozitë?

Përse u bë gjitha ajo luftë? Gjithësesi nuk na vjen mirë nëse do ketë diskriminime në koalicion me parti të tjera. O ministër, o s`ka mundësi tjetër. Nuk bëhet fjalë për post zv/ministri”, shprehet kreu i PDS për "Shqiptarja.com". Konkretisht, ai nuk ka asnjë sugjerim për një ministri të caktuar, ndonëse shprehet se ata që duhet të vlerësohen më shumë në koalicion janë pikërisht aleatët që u kanë qëndruar besnik në kohë të vështira në opozitë. “Nuk kam konkterisht asgjë, pasi unë nuk jam ulur të bisedoj për poste.

Nuk ka asnjë alternativë. Ne jemi në pritje të një negociate, të një takimi. Çdo gjë është më shumë në fushën e supozimeve. Ne do të respektojmë partneritetin shumëvjeçar, që kemi pasur në kohë të vështira, sepse në dasmë të gjithë të bëhen miq. Miku i mirë duket në kohë të vështira. Unë e ndiej veten pjesë të ekipit dhe dua të jem në vijën e parë të ekipit. Demokracia Sociale meriton të vlerësohet për luftën që ka bërë për vite të tëra”, thekson Milo.

Sipas tij, i gjithë faji është i Kodit Zgjedhor, i cili penalizon partitë e vogla, ç`ka ka sjellë edhe të papritura në këto zgjedhje për parti të caktuara. Por në të njëjtën kohë pretendimet për përfaqësim në qeveri kanë ardhur edhe nga aleatët e tjerë. Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, emri i të cilit përflitej dei para pak kohësh se do të ishte ministër i Drejtësisë, është shprehur se ai ka një marrëveshje me kreun e PS, të cilën Rama duhet ta zbatojë.

Ky qëndrim i tij lë të kuptohet se Ngjela kërkon një post ministror, edhe pse ende nuk ka negociata për këtë. Por një nga aleatët besnikë të PS është dhe Petro Koçi dhe Skënder Gjinushi, të cilët shprehen se nuk kanë asnjë negociatë me Ramën lidhur me ndarjen e posteve në qeveri apo përfaqesimin e tyre, pavarësisht kontributeve që kanë dhënë në 8 vite opozitë. Shumë shpejt pritet edhe takimi i radhës mes Ramës dhe e 36 aleatëve të koalicionit të majtë.

ALEATËT “BESNIKË”
 
Partia Demokracia Sociale:      11838 vota     
Partia Socialdemokrate:          10138  vota
Partia Socialiste e Vërtet ’91:   6111   vota   
Partia Ligj dhe Drejtësi:           2480  vota

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)