Janez Jansa është rikthyer sërish në krye të qeverisë së Sllovenisë. Parlamenti slloven votoi të premten pro mandatit të katërt të liderit të Partisë Demokratike Sllovene (SDS), duke i hapur rrugën një rikthimi të fortë politik të figurës më të njohur të së djathtës nacionaliste në vend.
Jansa siguroi 51 vota nga 87 deputetë që morën pjesë në seancë, pasi arriti marrëveshje koalicioni me disa parti të djathta në Kuvend. Vetëm pak ditë më parë ai kishte njoftuar se SDS kishte siguruar shumicën parlamentare, duke i dhënë fund krizës politike që kishte mbërthyer vendin pas zgjedhjeve të marsit.
Rikthimi i tij konsiderohet me rëndësi edhe për politikën europiane. Jansa është prej vitesh një nga aleatët më të afërt të Donald Trump në Europë dhe shpesh është krahasuar me liderë të tjerë populistë si Viktor Orbán. Fitorja e tij vjen në një moment kur kampi i djathtë europian po kërkon të rimarrë terren pas humbjes së Orban në zgjedhjet e fundit në Hungari.
Në deklaratën pas votimit, Jansa sulmoi kundërshtarët politikë dhe tha se ata nuk arritën të krijonin shumicë funksionale.
“Të tjerët u përpoqën të formonin koalicion, por dështuan. Ne e ndërtuam ndryshe, mbi bazë programi dhe hap pas hapi”, deklaroi ai.
Kriza politike në Slloveni nisi pas zgjedhjeve parlamentare të marsit, ku kandidati liberal Robert Golob fitoi ngushtë ndaj Jansës. Megjithatë, Golob nuk arriti të sigurojë partnerë për të formuar qeverinë dhe më pas hoqi dorë, duke kaluar në opozitë. Kjo situatë i hapi rrugën Janšës për negociata të reja me partitë konservatore dhe nacionaliste, duke arritur më në fund shumicën e nevojshme për t’u rikthyer në zyrën e kryeministrit.
Reagimi nga Brukseli erdhi menjëherë pas votimit. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e uroi Janšën për rikthimin në pushtet dhe tha se pret bashkëpunim për “sfidat e përbashkëta”.
Jansa ka qenë tre herë më parë kryeminist i Sllovenisë dhe njihet për retorikën e ashpër ndaj mediave, emigracionit dhe elitave liberale europiane. Rikthimi i tij pritet të sjellë një kurs më konservator në politikën e Ljubljanës dhe një afrim më të madh me kampin e djathtë europian.
Komente








