SLLOVENI - Egnatia është eliminuar në turin e dytë kualifikues të Champions League dhe tanimë kampionët në fuqi të Shqipërisë do të vijojnë garimin në Evropë në turin e tretë kualifikues të Europa League, ku përballë do të kenë kampionët e Irlandës, Shamrock Rovers.
Në ndeshjen e kthimit për turin e dytë kualifikues të Champions League, Egnatia barazoi 2-2 pas 120 minutave lojë në udhëtim kundër kampionëve të Sllovenisë, Celjes. Me rezultatin e përgjithshëm 5-5 pas dy takimeve, sfida shkoi te penalltitë ku Celje u tregua më e saktë dhe fitoi 4-1.
NDESHJA - Në Slloveni ekipi i Nevil Dedes tregoi se jo më kot luan në këtë fazë, duke marrë epërsinë pas 21 minutave lojë me autogolin e Hrka. Megjithatë Celje barazoi 1-1 në fundin e pjesës së parë me Kvesic.
Pjesa e dytë nuk prodhoi gola dhe me barazimin e përgjithshëm 4-4 dy skuadrat u drejtuan te koha shtesë. Celje ia doli të merrte epërsinë 2-1 me penalltinë e kthyer në gol nga Kvesic, pas një gabimi të Bitrit në zonë. Egnatia nuk u dorëzua dhe barazoi me Geralb Smajlin në minutën e 114-të duke e dërguar ndeshjen te penalltitë.
Nga 11 metërshat Celje u tregua më e saktë dhe fitoi 4-1 duke eliminuar Egnatian. Për kampionët e Shqipërisë gabuan mbrojtësit Eneo Bitri dhe Edison Ndreca, të dy duke goditur topin jashtë kuadratit.
Për t’u theksuar se në tre përvoja evropiane, skuadra e Egnatias ia ka dalë t’i dërgojë ndeshjet me 11 metërsha, duke gabuar pikërisht në goditjet e penalltive.
Aventura e Egnatias në Evropë nuk do të mbyllet këtu pasi ekipi i Nevil Dedes do të vijojë garimin në raundin e tretë kualifikues të Europa League ku përballë do të ketë kampionët e Irlandës, Shamrock Rovers.
Komente










