Aleati i Putinit: Moska do të konfiskojë asetet e BE-së nëse Brukseli i vjedh fondet ruse

Aleati i Putinit: Moska do të konfiskojë asetet e BE-së nëse Brukseli i vjedh fondet ruse

Vyacheslav Volodin

Rusia do të konfiskojë asetet që i përkasin shteteve të Bashkimit Evropian të cilësuara si jomiqësore, nëse blloku “vjedh” fondet e ngrira ruse me synim që të financojë Ukrainën, tha një aleat kyç i presidentit rus, Vladimir Putin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të premten se institucioni që ajo drejton po punon mbi një propozim që të merren disa nga përfitimet që rrjedhin nga asetet e ngrira shtetërore ruse për të ndihmuar Ukrainën në rindërtimin kur të përfundojë lufta.

Vyacheslav Volodin, kryetar i Dumës shtetërore, Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, tha se Moska do të kundërpërgjigjej në një mënyrë që do të ishte më e kushtueshme për bllokun nëse BE-ja ndërmerr veprime ndaj aseteve ruse, shumica prej të cilave mbahen në Belgjikë.

“Një numër i politikanëve evropianë, të udhëhequr nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, edhe një herë kanë nisur që të flasin për vjedhjen e fondeve e ngrira shtetërore ruse në mënyrë që të vazhdojnë militarizimin e Kievit”, tha Volodin, aleati i ngushtë i Putinit.

“Një vendim i tillë do të kërkonte një përgjigje simetrike nga Federata Ruse. Në atë rast, shumë më shumë asete që u përkasin shteve jomiqësore do të konfiskoheshin”, tha ai përmes një postimi në Telegram.

Von der Leyen tha të premten se vlera e aseteve ruse ishte 211 miliardë euro dhe rikujtoi se blloku ka vendosur që Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës.

Volodin tha se politikanët evropianë po e shqyrtojnë këtë lëvizje “në përpjekje për të mbajtur vendet e tyre të punës dhe për shkak të situatës së dobët financiare që kanë çuar shtetet e tyre”.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete të tjera kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL 

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë