Aleksandër Vuçiç ka njoftuar gjatë fjalimit të tij dorëheqjen nga posti i Presidentit të Serbisë. “Ka ardhur ora e vendimit”, tha ai, ndërsa falënderoi qytetarët për besimin që i dhanë në dy zgjedhje presidenciale. Vuçiç tha se Serbia po hyn në një “kapitull të ri”, ndërsa pjesën e fundit të fjalimit si President po ia kushton bilancit të viteve të tij në pushtet.
“Ka ardhur ora e vendimit. Historia na mëson se përparimi nuk arrihet kurrë rastësisht, por përmes zgjedhjeve të vështira, përgjegjësisë përpara ndërgjegjes sonë dhe vendosmërisë për të ecur përpara. Këtë e ka thënë Uinston Çërçill kur ndodhej në një situatë të ngjashme me atë ku ndodhem unë sonte. Pas vitesh në krye të shtetit, e kupton se përparimi rrallë vjen aq shpejt sa do të dëshiroje.
Në të njëjtën frymë, Presidenti i Kinës, Si Xhinping, thotë: ‘Mos harroni kurrë pse e nisët dhe do ta përmbushni misionin tuaj’. Mandati i Presidentit të Republikës fitohet në zgjedhje të drejtpërdrejta, pa kalkulime, pa marrëveshje, me ndershmëri dhe në mënyrë demokratike. U jam mirënjohës qytetarëve që në dy raste më dhanë në masë të madhe besimin e tyre njerëzor dhe, në këtë mënyrë, më dhanë detyrën dhe përgjegjësinë më të lartë që mund t’i jepet një njeriu.
Sot është dita, të nderuar qytetarë, kur jap dorëheqjen dhe, për herë të fundit në detyrën e Presidentit të Republikës, do të përpiqem të mos ju lodh me shifra, ose të paktën jo as gjysmën e asaj që mundem, por të them disa fjalë për kapitullin e ri që e pret Serbinë dhe për atë që ai përfaqëson.
Duhet të kujtojmë vitin 2012. Djemtë dhe vajzat e reja, që atëherë nuk ishin në moshë madhore ose as afër saj, nuk mund ta kujtojnë, por ne që jemi më të mëdhenj mund ta kujtojmë me lehtësi. Nga një normë papunësie prej 25,9 për qind dhe papunësi mes të rinjve prej 54 për qind, pra pothuajse asnjë i ri nuk punonte, deri te kursi i dinarit, kur çdo mëngjes zgjoheshit dhe prisnit me më shumë pasiguri të mësonit sa ishte kursi i dinarit sesa si do të ishte moti. Deri te humbja e 500 mijë vendeve të punës në vetëm tre apo katër vjet të mandatit të papërgjegjshëm të dikujt.
Kur u bëra kryeministër, borxhi publik ishte në nivelin 79 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Sot, falë jush, të nderuar qytetarë të Serbisë, Serbia është një vend me borxh të ulët, me një nivel borxhi dy herë më të ulët se vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Pra, jemi në nivelin 43 për qind të borxhit publik në raport me prodhimin e brendshëm bruto, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian është 84-85 për qind”, tha Vuçiç.
Lajmi kryesor:
Nga President në kandidat për kryeministër! Aleksandër Vuçiç jep dorëheqjen dhe lë 'amanetin' politik: Mos hiqni dorë nga Kosova!









