Ministri i Punëve të Brendshme të  Serbisë, Aleksandar Vulin, sërish e ka përdorur termin me nota përulëse  “shiptari”, duke injoruar një vendim të gjykatës në Serbi, sipas të cilin termi është “politikisht i pasaktë dhe ofendues”.

Vulin komentet i bëri gjatë një vizite në Administratën Koordinuese për Kosovën në Kurshumli, që gjendet në afërsi të kufirit me Kosovën. Ai pjesëtarëve të policisë u dhuroi dy automjete dhe pajisje tjera të sigurisë.

“Prerjet e shpeshta ilegale në këtë zonë janë shqetësuese për të gjitha organet shtetërore të Republikës së Serbisë dhe ne jemi veçanërisht të shqetësuar sepse bandat e ‘shiptari’ shumë shpesh mbajnë armë dhe hapin zjarr”, tha Vullin.

Më parë, Vullin iu kishte përgjigjur kritikave për përdorimin e këtij termi duke thënë se “ai do të vazhdonte t’i quante shqiptarët ashtu siç e quajnë ata veten”.

Në fund të vitit 2018, Gjykata e Apelit në Beograd konfirmoi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Lartë në Beograd mbi padinë e Anita Mitiç, një ish-aktiviste e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, kundër tabloidit “Informer”. Gjykata sanksionoi përdorimin e termit “Shiptar” si gjuhë urrejtjeje. Të njëjtin term Vullin e kishte përdorur edhe në fillim të muajit tetor, duke nxitur reagime në Prishtinë dhe Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pati bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që ta dënojë deklaratën e ministrit Vulin.  Më 2 tetor edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, u kishte dërguar një letër ambasadorëve të vendeve të Kuintit, ku kishte thënë se “fjalimi ksenofobik i Aleksandër Vulinit kundër shqiptarëve meriton dënim të fuqishëm, për shkak të lëvizjeve të turpshme dhe shoviniste të Qeverisë së Serbisë”.

Deklarata e Vullinit u bë pas nënshkrimit të marrëveshjes së arritur më 2 tetor mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilën është thënë se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.