Alfred Kaçinari: Rona Nishliu
surprizë në Eurosong

Alfred Kaçinari: Rona Nishliu <br />surprizë në Eurosong
Rona Nishliu me këngën-baladë të saj, që titullohet "Suus", po e ngjit sot Shqipërinë në natën finale të festivalit të këngës "Eurovizion", i cili këtë vit zhvillohet në Azerbajxhan. Festivali i këngës "Eurovizion" është ndjekur nga mbi 100 milionë telespektatorë nëpërmjet ekraneve në 50 vende të botës.

Nata e parë e këtij festivali ka nxjerrë në dukje vlerat e këngëtares shqiptare, ndërsa jo pak vende përpiqeshin të përshtateshin me frymën e këngëve trofe të viteve të mëparshme. Rona Nishliu u dallua menjëherë për timbrin e zërit të saj dhe është vlerësuar për performancën e saj të mrekullueshme. Me një siguri të jashtëzakonshme, vajza kosovare Nishliu që me hapat e para sundoi skenën dhe në sallë ra një heshtje e madhe dhe e frikshme pritshmërie. Por për habi të të gjithëve ajo sundoi dhe të papriturat e heshtjes, zotëroi gjithçka si një mbretëreshë e regjur skenash deri në detajet më të holla. Publiku nuk pipëtinte, ndërsa ajo sillte një lloj kënge të veçantë dhe duartrokitjet e këtij publiku nuk duronin derisa të vinte fundi i këngës. Ishte një sukses i sigurt i këngëtares shqiptare në Eurosong. Ndërsa ekzekutonte një profil të veçantë dhe të vështirë kënge me timbre të forta të zërit të saj, Rona Nishliu arriti të marrë në çdo një minutë nga një duartrokitje të zjarrtë. Kënga shënoi pëlqimin dhe admirimin e publikut për këngëtaren, ndërsa moderatores së festivalit, sapo Rona Nishliu doli nga skena i shpëtoi një britmë: "Uau çfarë zëri!". Rona doli nga skena mes shpërthimit të lotëve dhe entuziazmit. Shqipëria kishte vite, pas përfaqësimit me këngëtaren Anjeza Shahini, që nuk po e gjente dot veten në skenën e Eurosongut. Përveç duartrokitjeve të shumta në sallë dhe vlerësimeve të kritikës gjatë spektaklit, kënga "Suus" dhe Rona Nishliu ka marrë vlerësimet më të mira edhe nga mediat. Gazeta italiane "Corriere della Sera" e krahason këngëtaren shqiptare nga Kosova, për potencialin e saj vokal me mbretëreshën e muzikës "soul" Aretha Franklin apo mbretëreshën e muzikës "funk" Chaka Khan. "Rona, mbretëresha e Shqipërisë", përfundon shkrimi i kësaj gazete për këngëtaren shqiptare. Rona u ngjit drejt kësaj sfide me dinjitet. Priten surpriza për një trofe tjetër, por edhe nëse nuk ndodh kjo, Alfred Kaçinari një nga anëtarët e jurisë së "Etheve" që ka zgjedhur dikur Rona Nishliun fituese, thotë se "mjafton dhe ngjitja në finale që është një tregues shumë i mirë për sfidën e muzikës shqiptare". Lotët e Rona Nishliut në Eurosong kanë qenë të dyfishtë, gëzim për suksesin dhe dhimbje e homazh për studentët e aksidentuar të Elbasanit, i cili ndodhi të hënën e kësaj jave. Këngëtarja kosovare është shprehur përpara interpretimit të saj se, "kënga do të ishte një homazh për shpirtrat e viktimave të aksidentit të rëndë të Himarës". Sot Rona Nishliu do të ngjitet sërish në skenën e Eurosongut me shpresën e një trofeje të madhe.

Zoti Kaçinari, ndërsa publiku dhe juria e ka vlerësuar dje me superlativa, si e gjykoni ju si specialist i muzikës intrepretimin e Rona Nishliut?
-Sigurisht që Rona Mysliu interpretoi me një standard të lartë. Ishte globalisht një interpretim i bukur. Ajo ekzekutoi këngën me një energji shumë të madhe. Ne jemi të brendshëm në këtë organizim dhe duhet të ruajmë kontrollin që të jemi sa më të kursyer në interpretimet tona, por le të jemi edhe realistë. Megjithatë, duhet pasur parasysh pesha që ka mbi veten e tij interpretuesi në të tilla raste. Duhet të mendoni që ky është aktiviteti më i madh që ne përfaqësohemi në fushën e muzikës dhe neve nuk kemi një skenë tjetër të këtyre dimensioneve, të këtyre përmasave, të këtij standardi të këtij investimi. Eurosongu është një investim prej dhjetëra milionë eurosh. Dhe, të ngjitesh në një skenë të tillë është një përgjegjësi shumë e madhe. Këtë përgjegjësi e ka mbajtur edhe Rona. Po të kemi parasysh kënga ka qenë e një vështirësie shumë të lartë për t'u kënduar dhe përveç aftësie shumë të mëdha të Ronës, asaj i është dashur edhe kurajë edhe forcë psikologjike. Pashë që ajo ishte e parapërgatitur mirë për të përballuar këtë nivel interpretimi. Mendoj se ka qenë në nivele të lartë. Unë e pashë te Radiotelevizioni i Kosovës, sepse isha i interesuar për ta parë drejtpërdrejtë.

Kënga e Nishliut ka qenë kënga më e diskutueshme për llojin e saj të veçantë, si u siguruat për nisjen e saj në Eurosong?
-Ajo është një këngë që është diskutuar për zgjedhjen e saj estetike, sepse është shumë ndryshe nga këngët e ditës, e konsumit të përditshëm. Është një këngë që do pjekuri të madhe profesionalizëm për t'u shkruar nga Florent Boshnjaku, që është profesionist. Nuk ishte aq e lehtë për të arritur në këtë këndvështrim specifik edhe nga profesionistët. Në këtë aspekt kënga është diskutuar se është ndryshe, por Rona realizoi diçka shumë të veçantë duke i dhënë edhe shkëlqimin që meritonte kenga.

Ajo ka qenë edhe një produkt i konkursit të "Etheve..."?
-Rona ka qenë pjesëtare e një grupi prej tri vajzash që kanë marrë pjesë në "Ethet 2". Ka qenë Teuta Kurti, ka qenë vesa Luma dhe Rona Nishliu. I takuam për herë të parë në Prishtinë. Ato jo vetëm kishin pretendime, por edhe ishin të përgatitura, sidomos Rona dhe Teuta Kurti kanë qenë tipa insistues. Në këtë kuptim më vjen shumë mirë që ato janë një produkt i joni, por tani më vjen mirë që vajza kosovare është përfaqësues e festivalit të RTSH-së.

Keni një nuhatje se do të arrijë ajo më lart në finale?
Duke parë se Eurosongu është aktivitet që vështirë parashikohet se pse ka shumë eksponentë të ndryshëm që veprojnë dhe votojnë, ka juri të ndryshme nga kultura të ndryshme, për mua kalimi në finale është shumë i mjaftueshëm. Rona është konfirmim i standardit se ka një muzikë shqiptare të lehtë me traditë. Nuk vjen pjekuria rastësisht. Surpriza mund të ketë. Në juri është përfaqësuesja e Francës Anguni që është një këngëtare gjigante, edhe ajo e Italisë ka shumë eksperiencë. Kënga është shumë e mirë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Spartak Ngjela: Turp historik! Nuk lejojnë votim të lirë, e nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të rrinë në pushtet për privilegje

Spartak Ngjela: Turp historik! Nuk lejojnë votim të lirë, e nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të rrinë në pushtet për privilegje