ALGJERI - 35 shtetas të huaj të cilët mbaheshin peng pranë një uzine të gazit në In Amenas, në jug të Algjerisë dhe 15 rrëmbyes kanë mbetur të vrarë. Mes të vrarëve është dhe lideri Abou Al Bara. Lajmi bëhet i ditur nga Al Xhazira. Sulmi terrorist vjen si kundërpërgjigje ndaj ndërhyrjes ushtarake të Francës në Mali.

Pengjet dhe pengmarrësit mendohet se u vranë gjatë një sulmi me helikopter të ushtrisë algjeriane.

Raportimet për vrasjen vijnë një ditë pasi mbi 40 të huaj dhe algjerianë u morën pengë nga militantët islamikë pranë një uzine të gazit.

“Situata është shumë e rrezikshme. Ushtria algjeriane duhet të tërhiqet e të nisë negociatat që mund të evitojnë humbjen e jetëve”- Ky është apeli i 3 pengjeve në duart e terroristëve islamikë që prej ditës së djeshme në uzinën e gazit në In Amenas. Duke folur në një lidhje telefonike me tv Al Xhazira tre pengjet- një britanik, irlandez dhe një japonez që janë plagosur- kanë përsëritur të njëjtën kërkesë nëpërmjet një person i prezantuar si Abu Al Bara.

Ditën e mërkurë u morën peng rreth 41 shtetas të huaj, duke përfshirë amerikanë, britanikë, francez, japonez, të gjithë punonjës në një vendburim nxjerrjeje nafte dhe gazi në rajonin In Amenas që menaxhohet nga BP, StatOil dhe kompania algjeriane Sonatrach. Autobusi në të cilin udhëtonin disa punonjës u sulmua nga persona të armatosur në momentin kur po shkonin të merrnin turnin.

Rrëmbyesit kanë kërkuar tërheqjen e Francës nga Mali pasi që nga e premtja, Parisi zyrtar është përfshirë ushtarakisht në konfliktin mes qeverisë së Malit dhe rebelëve të lidhur me grupet ekstremiste islamike dhe bënë thirrje për sulme ndaj francezëve në mbarë botën.

Redaksia Online
(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)