Sipas tij, qe çeta “Çerçiz Topulli”, e vendosur këtu, e cila kontrollonte në rrugë lëvizjet e ushtrisë italiane. Ura e Kardhiqit ishte postblloku i saj i përhershëm. Nuk funksiononte përditë. Herë dilte për rutinë, herë sepse pati marrë ndonjë të dhënë për persona të kërkuar nga Lëvizja Nacionalçlirimtare që tentonin t’i iknin.
Në 11 qershor 1943 pesë të rinjtë e skuadrës së postbllokut u shfaqën tek ura jo për të kryer në parim veprimin e zakonshëm të kontrollimit të spiunëve apo të bashkëpunëtorëve të pushtuesve. Mersin Mixha thotë se njësiti partizan pati dalë në rrugë për të zbatuar një vendim të celulës komuniste të çetës. Në një mbledhje të kësaj të fundit Ali Këlcyra, pas vetëpohimit për takimin me autoritetet e larta pushtuese fashiste dhe gjeneralin Renco Dalmaco, qe shpallur tradhtar dhe vendosur të pushkatohej. Kërkimi dhe kapja e tij nga luftëtarë të çetës qe në zbatim të këtij vendimi.
Ka jo pak konfuzion në këtë nyje të kësaj historie të jashtëzakonshme, e cila u mbajt tërësisht fshehur në të vërtetën e saj nga historishkrimi i gjysmëshekullit të para nëntëdhjetës. Në rrëfimet e ndryshme për 11 qershorin 1943 nuk ka munguar një palë, e cila arrestimin e politikanit të rëndësishëm ballist e ka besuar si një ngjarje krejt të rastësishme. Me pak fjalë: partizanët e postbllokut atë ditë bënë një rutinë, në autobuzin e linjës nuk gjetën asnjë spiun apo bashkëpunëtor të njohur të italianëve. Aliun, thotë ky variant, e morën pa e njohur cili qe, thjesht se iu duk person i dyshimtë. Mënyra tjetër shpjeguese thotë se në të vërtetë e morën me vete sepse e njohën. Por gjithsesi vendimi për ta pushkatuar, sipas këtij lloji rrëfimi, u mor vetëm pasi u soll në Cepo.
Ish-partizani korrier 13 vjeçar Mersin Mixha në dëshminë e tij dhënë një të përditshmeje shqiptare (gazeta “Telegraf”,1 dhjetor 2013), duke rikthyer në kujtesë të lexuesit të sotëm gjendjen që u krijua në 11 qershor 1943, me arrestimin nga një skuadër e çetës “Çerçiz Topulli” të Ali Këlcyrës, vë në dukje se “Inati i trupave italiane për këtë arrestim ishte i pamatë”.
Në pasqyrim të kësaj atmosfere Mixha thotë se erdhën menjëherë në vendngjarje trupa të gjeneralit Ernesto Kiminelo (komandant i divizionit “Peruxha” të vendosur në Gërhot të Gjirokastrës) dhe filloi lufta mes tyre dhe pjesës së paktë të partizanëve të ndodhur në Cepo, vendkomandën e zonës.
Sipas arsyetimit të 13 vjeçarit të atëhershëm, i cili nuk ka ndryshuar gjykim as pas pothuaj shtatë dekadash, mbërritja e njësisë italiane e ka penguar procesin e parashikuar për fatin e Ali Këlcyrës dhe të vendosur prej celulës komuniste të çetës “Çerçiz Topulli”: pushkatimin e tij.
Gjithnjë sipas këtij varianti, asnjëherë të provuar prej burimesh të tjera, duke menduar se trupat e ardhura të pushtuesve, por po ashtu edhe të ballistëve, të cilat në vendngjarje erdhën të parat e qenë mjaft të nervozuara, mund t’ja dilnin ta çlironin eksponentin e shquar të nacionalistëve, njësiti rrëmbyes, i komanduar sërish prej po atij që urdhëroi tek postblloku i Urës së Kardhiqit nxjerrjen nga autobusi i linjës dhe arrestimin e Ali Këlcyrës, Mitat Kondit, është larguar me nxitim nga Cepo. Si do të vepronin me të, akoma nuk kishte ardhur urdhri epror.
Aksionin e mbartjes së shpejtë e ka shoqëruar një vendas i armatosur (Abaz Zholi), njohës shumë i stërvitur i terrenit. Veprimi i zhvendosjes me forcë i politikanit të arrestuar, të cilin rrëmbyesit, me gjithë kërkesat e bëra prej ballistëve dhe italianëve për tua dorëzuar, por ata as që e shkonin nëpër mend, nga sa kuptohet, ka nisur në mbrëmjen e 11 qershorit.
Ka qenë natë kur grupi i nacionalçlirimtarëve, me pengun e vet në mes, u ngjit në Qafë të Koçës, e cila është majëmali. Mitat Kondi u kishte urdhër anëtarëve të tjerë të skuadrës shoqëruese “Në qoftë se Ali beu tenton të arratiset, qëllojeni!”
Vetëm të nesërmen, në 12 qershor, eksponenti i lartë nacionalist, rrëmbimi i të cilit tashmë kishte vënë në alarm tërë udhëheqjen e Ballit Kombëtar, gjithë komandën supreme të forcave italiane të pushtimit si edhe qeverinë në Tiranë të kryesuar prej Eqerem Libohovës, përfshi edhe një pjesë të opinionit publik, u rrugëtua nëpër shtigje e gjysmëterr dhe u vendos në fshatin Plesat.
Këtu strehë paraburgimi u bë, sipas Mersin Mixhës, shtëpia e banorit Iliaz Mehmeti. Gjithnjë sipas Mixhës “në fshat në këtë kohë nuk kishte fare njerëz” dhe se “të gjitha familjet e fshatit u larguan duke shkuar në një përrua të thellë, në disa shpella të përroit, ku pikonte vetëm ujë”.
Ikja e banorëve dhe zbrazja e Plesatit pati ndodhur nga që ushtria italiane e kishte goditur me artileri që herët në mëngjes. Topat e saj shtinin pa pushim herë nga Ura e Kardhiqit, herë prej Gërhotit dhe ashtu edhe nga ana e Mashkullorës.
Kështu në fshatin, ku sapo kishin sjellë udhëheqësin nacionalist, u krijua gjendje tepër e vështirë jo vetëm prej bombardimit, por edhe sepse forcat e Ballit tashmë po merrnin pjesë, bashkë me italianët, në rrethimin ushtarak të Plesatit. Kjo parathoshte se shumë shpejt mund t’u hipte në kokë të sulmonin dhe Ali Këlcyrën ta çlironin me forcën e armëve.
Por grupi i vogël partizan që e ruante, e dinte mirë se këtë sipërmarrje as ballistët dhe as italianët nuk e admironin aq fort. Ndërhyrja me forcë mund të shkaktonte vrasjen e politikanit të njohur prej njerëzve të Nacionalçlirimtares.
Në rrethanat kur çfarë do të bëhej me fatin e politikanit të njohur nuk kishte ardhur përgjigja nga udhëheqja ushtarake dhe politike komuniste e zonës së Gjirokastrës, “partizanët dhanë menjëherë ultimatum: nëse ballistët do të hapnin zjarr kundër popullsisë së pafajshme, atëherë çetat partizane do të luftonin ashpër kundër tyre”.
(Në këto çaste të mbushura me tension çeta balliste e Lazaratit dhe ajo e Libohovës ja kishin dalë të kapnin dy partizanë dhe t’i mbanin peng në shkëmbim të lirimit të Ali Këlcyrës).
Shkruan më pas, në variantin e tij të ngjarjes, Mersin Mixha: “Në këtë kohë me urdhër të Qarkorit të Gjirokastrës, personalisht të Bedri Spahiut, u kërkua të mos pushkatohet Ali Bej Këlcyra”.
Gjithnjë sipas variantit Mixha paralelisht me këtë zhvillim të ankthshëm, i cili nga çasti në çast mund të shndërrohej në një përplasje e madhe lokale me armë dhe kjo të shkëndijonte në të gjithë vendin një luftë civile, “vijnë trupat partizane dhe rrethojnë të gjithë zonën e fshatit Plesat në të katër anët. Në këtë kohë vjen dhe Ismail Golemi, pjesë e trupave të Ballit dhe me një korrier i thotë Ali Bej Këlcyrës “Të shpëtova Ali”. Ai ju përgjigj: “Nuk më shpëtove ti, por më shpëtoi momenti politik, pasi partizanët nuk duan vëllavrasje, se po të donin partizanët ti sot nuk do ta gjeje varrin tim. Politikisht këta djem qëndrojnë më lart se ne, pasi nga Fronti Nacional Çlirimtar ne jemi dënuar me pushkatim, por ky moment politik na shpëtoi nga pushkatimi. Sot na kanë falur këta, ndaj largohu!”
Sipas rrëfimit të dikur trembëdhjetëvjeçarit “korrier i vogël partizan”, pas ardhjes së urdhrit që të lirohej, “trupat partizane e morën Ali Bej Këlcyrën, e hipën në një kalë qëllimisht balash, ku e shoqëruan dy partizanë, njëri nga Plesati dhe tjetri nga Prongjia, partizanë të çetës “Çerçiz Topulli”. Ata do ta çonin deri tek Ura e Kardhiqit, dhe aty do ta merrnin trupat balliste dhe milicia. Komanda e çetës kishte dhënë urdhër që nëse vriteshin këta të dy djem, partizanë të çetës “Çerçiz Topulli”, atëherë do të luftohej pa asnjë kompromis kundër trupave balliste dhe trupat balliste të rrethuar në Plesat do të vriteshin.
Ali bej Këlcyra, kur po dorëzohej tek trupat e tij, tha:-“Të mos preken këta dy djem, vetëm kur të shkojnë në Manastirin e Cepos dhe të hedhin dy breshëri me plumba atëherë quhet që çdo gjë ka shkuar në vend”. Kështu ndodhi. Dy partizanët vazhduan rrugën pa pengesë dhe trupa balliste u lanë të lirë”.
Ali Këlcyra, Avdije dhe Hana në Romë në fillim të viteve 60
Lajmi tronditës, Hana Klissura tenton të vetëmbytet në pus
Kur nisi kjo ngjarje fare e papritur Hana Klissura ishte shtatë vjeçe dy muaj. Pas ardhjes nga Parisi në Këlcyrë në fundgusht 1939, motet e fundit çdo muaj qershor shkonte në Fier, atje ku ndodhej fisi e Advije hanëmit, të ëmës, Vrionasit, si edhe çifligu i saj dhe i familjes, i tyre, fshati Muçan. Gjendej rregullisht në Fier, sepse pas mësimeve private që merrte në vendlindje, provimet shkollore i kryente aty.
Në Fier banonin në një shtëpi me qera, emrin e pronarit të njërës prej tyre Hana edhe tani e mban mend. Quhej Kol Gjini.
Në 11 qershor, në drekë, ajo u kthye nga shkolla dhe e gjeti të ëmën veshur krejtësisht me të zeza. Ishte në dhomën e fjetjes së saj dhe të Ali Këlcyrës, duke shkulur flokët dhe rënë kokës me grushta. Qante me gulçe të forta, me një dënesë që ishte përtej rënkimit prej një plage të rëndë plumbi.
Hana shtangu tek dera e dhomës dhe dy-tri hapa brenda saj i bëri si nëpër ajër. Pamja e nënës dhe gjestet e saj qenë të paimagjinueshme, të papara kurrë dhe e vogla u mpi e tëra. Advija e dalloi vetëm pas një çasti dhe pa e ndërprerë atë rit të tmerrshëm kujeje, i tha se komunistët i kishin vrarë babanë.
Hana nuk mundi të shqiptonte qoftë edhe një psherëtimë a çdo tingull tjetër që provonte se e pati dëgjuar çfarë i tha e ëma, por heshtur, mish e kockë bërë si gur, doli nga dhoma. Shkoi në bahçe, atje ku ndodhej pusi. Instinktivisht kishte vendosur të hidhej brenda tij dhe të mbytej. Nuk i duhej më jeta pa babanë e saj.
Mbërriti tek buzët e grykës së pusit dhe e kuptoi se ai ishte i lartë dhe pa hipur mbi ndonjë mbështetëse nuk hidhej dot brenda tij. Atëherë u kujtua se aty afër kishin një qilar me sende përdorimi të përditshëm apo kur vinte stina e vapës së fortë. Mes tyre ndodhej edhe një kosh i thurrur me thupra. Ai qe i lehtë dhe mund ta transportonte deri tek pusi. Qe edhe i lartë mjaftueshëm, po ta ktheje përmbys, sa për të hipur mbi të dhe prej andej të vinte këmbët tek buzët e murit të grykës dhe kështu ta lëshonte trupin të binte në thellësinë e errët të tij.
I bëri të gjitha këto veprime me saktësinë dhe shpejtësinë e një të rriture dhe kur një këmbë e kishte vënë mbi fundin e koshit e tjetrën tek buza e pusit, ndërroi mendje. Nuk do të binte në ujë e të mbytej. Po të vdiste edhe ajo, siç edhe pati vdekur babai, me kë do të jetonte mamaja. Ajo kështu do të shkatërrohej fare.
Hana prej këtij çasti mban mend se në prurjen në vete dhe vendimin e braktisjes së dëshirës për të rënë në ujrat e pusit, duhej të kishte ndikuar edhe era e rëndë, si prej kënete, që vinte nga poshtë tij. Iu duk se brendësia qe një pisllëk.
Zbriti njërën këmbë nga buza e grykëpusit, tjetrën prej fundit të koshit nga vrapoi drejt dhomës së fjetjes së prindërve. Iu hodh në krahë të ëmës dhe e puthi pa i thënë asnjë fjalë.
Tentativën e asaj dite të 11 qershorit 1943 për t’u vetëmbytur nuk do t’ia tregonte nënës jo vetëm atë ditë apo në ndonjë prej viteve të ardhshëm, por kurrë, deri sa Avdija hanëmi në vitet nëntëdhjetë do të ndërronte jetë.
Avdije Hanem
Një vetëvrasje në vitin 1914
Hana Klissura e lindur në Paris në 8 mars 1936 nuk kish si t’i dinte me pamje të gjitha rrethanat e djegies së sarajeve të dinastisë Këlcyra në 1914 prej reparteve ushtarake dhe andarte greke. Gjithçka me këtë ngjarje i qe përcjellë nëpërmjet tregimeve të “gjygjyshit”, Muhametit dhe xhaxhallarëve të tjerë të të atit. Po ashtu edhe nga vetë Ali Këlcyra, i cili qe i pranishëm dhe ndodhej në Teqenë e Sukut, duke vështruar si grekët i qëlluan nga poshtë me topa sarajet dhe prej atyre predhave ato morën flakë dhe u dogjën deri sa mbetën të nxirë vetëm muret e larta dhe të trasha.
Prej rrëfimeve Hanës i qe fiksuar se po ata grekë që i kishin bombarduar dhe djegur sepse oxhaku Këlcyra nuk kishte pranuar që ai vend të shkëputej nga shteti i porsashpallur shqiptar dhe të bashkohej me Greqinë, për disa kohë e kishin ngritur shtabin e tyre brenda sarajeve.
Sipas një rregulli të familjes gratë e Këlcyrajve jo vetëm rrinin me fytyrë të zbuluar, por edhe hanin bukë bashkë me meshkujt, aspak të ndarë prej tyre. Tani që kishin ardhur oficerët helenë në parim do t’u duhej që të mos i mbanin të veçuara gratë apo vajzat e oxhakut dhe të detyroheshin të shtroheshin në tryezë me ta. Për të mos ua krijuar këtë mundësi si edhe njëkohësisht shpallur refuzimin ndaj pushtuesit Muhamet beu dhe Islam beu, dy xhaxhallarët e Ali Këlcyrës, bashkë me këtë të fundit kryen një veprim shpëtimi për dinjitetin e tyre familjar e kombëtar.
Për të mos e detyruar nënën e tyre të hante bukë me oficerët grekë, Shegën, të shoqëruar nga i biri, Islami, e dërguan për në Elbasan, tek e bija Hilmija, e cila qe martuar me Hasan bej Biçakun. kurse të motrën, Eminenë, për në Korçë.
Pikërisht të kësaj kohe, përherë të rrëfyer nga të tjerët, paraardhësit e oxhakut Këlcyra, Hana do të mësonte se gjyshja e saj, Shega, kur pas djegies së sarajeve ndodhej tek Biçakçinjtë në Elbasan, i erdhi papritur një lajm sikur i biri, Muhamet beu, ishte vrarë prej grekëve në luftime me ta. Ai që e solli kobin, ishte një ushtar nga jugu dhe kur e shqiptoi para asaj gruaje si edhe Islam beut, i cili ndodhej pranë, nuk e dinte aspak se ajo ishte nëna e Muhametit. E shqiptoi pa u menduar shumë kujt po ua thoshte.
Muhameti ishte djali që Shega adhuronte më shumë. Ajo ishte prishur menjëherë në fytyrë, sikur gjithçka mbi të t’i shpërbëhej prej një helmimi shumë të fuqishëm, dhe pa thënë asnjë fjalë, pa bërë të paktën një pyetje verifikuese ku ushtari e kishte marrë atë lajm vdekjeje dhe a qe i saktë, doli nga salloni.
Pa nxjerrë asnjë pikë loti ose thënë një fjalë goje, shkoi edhe u hodh nga shkallët e sarajeve të Biçakçive. Theu kolonën vertebrale dhe pas tri ditësh vdiq.
Kjo dramë vetëvrasëse e vitit 1914 ishte një rrethanë e njëllojtë me atë të 11 qershorit 1943, këtë herë me vuajtëse deri në humbje të ndërgjegjes, Advije hanëmin.
Hana Klissura, në mënyrën e saj, por e vetëshpëtuar lumturisht në fund, qe sjellë si e gjyshja.
Hana Avdije Hanem
* * *
Ndërkohë, sipas Hana Klissurës, “se kush erdhi edhe tha që nuk ishte akoma e sigurt që e kishin vrarë babanë, kështu unë me mamanë shkuam me një taksi menjëherë në Vlorë tek tezet”. Siç ju kemi informuar më parë, dy vëllezërit Vlora, bij të Syrjait, kushëri i parë i Ismail Qemalit, Eqeremi dhe Safa, kishin për grua dy motrat e Advijes.
Para gruas së Ali Këlcyrës shumë të turbulluar dhe që kërkonte, pa pasur e bërë asnjë plan logjik, t’i gjendej pranë të shoqit, me gjakftohtësinë e saj shkoklaviti dhe bëri të qartë çdo veprim të ardhshëm, Hedija, e shoqja e Eqeremit bej Vlorës.
Dymbëdhjetë qershori i kotit 1943 e kishte natën të rëndë, me një dëng resh që rrinin pezull në qiell, sikur të deshnin të mos linin mbi tokë të binte mjaftueshëm dritë hëne për të parë nëpër terr dhe ajër për të marrë frymë.
Në fund të fundit lajmi që Ali Këlcyra ishte liruar prej komunistëve qe tashmë mjaft i sigurt, siç as që mund të shkohej ndërmend se dy muaj më pas atij do të ndodhte një e papritur tjetër: do ta kërkonin për ta arrestuar, për të tretën herë, italianët, ndërsa po zbriste në Rinas nga avioni.
Ali Këlcyra
(Vijon së afërmi në gjashtë shkrime të tjerë)