Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj thotë se një deputet socialist ka provokuar viktimat e komunizmit dhe nuk ka shprehur asnjë moment pendesë. Me anë të një shkrimi në Facebook thotë se plagët e pambyllura janë lënë në harresë.

Pak muaj me parë, një deputet i Partisë Socialiste i thurte hosana figurës së diktatorit komunist Hoxha. Provokim i hapur i pinjollëve të komunizmit ndaj viktimave dhe një populli të tërë, ndaj plagëve të pambyllura të persekucionit, vrasjeve pa gjyq, burgosjeve e internimeve, shtypjes së fjalës së lirë. Asnjë fjalë pendese, as sa për sy e faqje, nga pushteti. Thjesht lënie në harresë. Në fakt ashtu siç ka ndodhur për këto 30 vjet”, shkruan Alibeaj.

Alibeaj përmend edhe rastin e ditës së djeshme në Cerrik, ku kryebashkiaku Andis Salla, u shfaq duke vendosur kurora me lule në një monument përkujtimor të partizanëve të rënë në luftë. Sipas tij, duhet të kalohet sa më shpejt te dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare në mënyrë që provokimet të mos prekin brezin e ri dhe nxënësit në shkolla.

“Nuk ka dhimbje më të madhe sesa kur ndjen, që në vendin, e ndaj popullit, më të vuajtur nga diktatura komuniste, pendesa mungon, falja refuzohet dhe harresa promovohet. Simptomat më energjike këto që mentaliteti diktatorial të ruhet ende i patrazuar. E sikur hipokrizia e tranzicionit postkomunist të mos mjaftonte, provokimet sistematike të nostalgjikëve të komunizmit po iu vardisen edhe brezit të ri, nxënësve në shkolla, sic ndodhi dje në Cerrik ! Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare, i sinqertë, real, i plotë dhe i ndjerë është ajo çka ka nevojë ky vend sot! Mund dhe duhet ta bëjmë”, shkruan Alibeaj.