Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, u diskutua për ‘ripërtëritjen’ e PD-së dhe dorëzimin e detyrës së drejtuesit politik të PD-së së Durrësit nga Oerd Bylykbashi.
Ish-ministri Enkelejd Alibeaj tha gjatë fjalës së tij se me largimin nga ky pozicion, Bylykbashi nuk ka humbur asgjë. Ai tha se Bylykbashi nuk ka treguar koherencë në qëndrimet e tij, pasi sipas Alibeajt, nuk ka folur më herët për monokracinë në PD.
Alibeaj theksoi gjithashtu se në zgjedhjet e ardhshme lokale PD do të marrë një rezultat edhe më të keq se më parë.
“Monokraci partiake në PS, monokraci ekstreme partiake në PD. Testi është kostoja, koherenca dhe llogaridhënia. Kostoja, çfarë ka humbur Bylykbashi? Asgjë praktikisht. Është deputet, edhe ato funksione që partia i ka dhënë. Ka humbur vetëm drejtimin politik të qarkut Durrës, që me atë se çfarë vjen për PD-në në zgjedhjet vendore, gjithmonë e më rëndë do të jetë situata elektorale. Kështu që nga ky moment nuk e kalon testin ky akt apo xhest nëse është i tillë. E dyta koherenca. Ka kritikuar sistemin brenda partisë. Se duhet ta kesh kritikuar disa kohë më parë dhe të thuash sot se ‘unë jam koherent në qëndrimet e mia se partia duhet ndryshuar, duhet demokratizuar, duhet zmadhuar dhe për këtë arsye po e bëj xhestin i pari vetë’. Nuk më rezulton, përkundrazi, po e lë këtu. Dhe e treta llogaridhënia. Nëse aludimi që emisioni bën qëndron, do të thotë që në thelb ka një problem me kultin, me njëshin, me të pazëvendësueshmin. Dhe pyetja është, zotëria në fjalë apo zotërinjtë e tjerë, a nuk ishin këta që ndërtuan këtë kult?”, tha mes të tjerash Alibeaj.
Nga ana tjetër, gazetari Aleksandër Çipa tha gjatë fjalës së tij se Berisha tani e ka të pamundur që të ketë kundërshtarë në PD.
Çipa theksoi se procesi i destrukturimit të PD-së zgjati 3 vite dhe ka bërë që partia të jetë tkurrur e reduktuar nga pikëpamja strukturore e saj.
Sipas Çipës, nëse PD nuk bashkohet me faktorët e tjerë të opozitarizmit, është në një fatalitet elektoral.
“Berisha tani nuk ka nevojë dhe është e pamundur që të ketë kundërshtarë në PD. Ka dy probleme që ka Berisha. Problemi i parë lidhet sesi do të përcaktohet fati i koalicionit opozitar për zgjedhjet e afërta të radhës. Dhe problemi i dytë është një proces që ai nuk e bën dot. Procesi i destrukturimit të PD-së zgjati 3 vite. Dhe për këtë nuk është bërë një analizë strukturore. Dhe ky është një problem që nuk i intereson edhe zotit Berisha, por praktikisht do të krijonte diversitete të reja, që ai nuk është i interesuar t’i ketë. Dhe në këtë arsye procesi i destrukturimit bëri që partia të jetë tkurrur dhe të jetë reduktuar edhe në pikëpamjen strukturore të saj. Emërimet, apo të ashtuquajturit dalësit e rinj për udhëheqësimin politik në nivelet bazike të partisë, që plotësojnë imazhin e ripërtëritjes si proces, i intereson zotit Berisha. Por halli i madh është te potenca elektorale në ballafaqimin zgjedhor. Prandaj nuk po e përfundon këtë proces, pa përcaktuar fatin se cili do të jetë. Fatin e zgjedhjeve. Nëse PD nuk bashkohet me faktorët e tjerë të opozitarizmit, është në një fatalitet elektoral”, tha mes të tjerash Çipa.
Lajmi kryesor:
Spiropali ‘sfidoi’ Ramën/ Gjyli: Reagim reaksionar i saj pas përjashtimit nga PS, ka marrë garanci diku! Caca: Tezat e saj janë parimore, por s’mund të legjitimohen










