Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka sqaruar se një tjetër prioritet i PD do të jenë Reformat Antikorrupsion dhe luftën ndaj Krimit të Organizuar. Alibeaj shtoi se Rama përfitoi nga çoroditja e PD, dhe mbajti në sirtar paketën për kontrollin e pastërtisë së figurës.
“Rreziku permanent në 32 vite poskomunizëm në Shqipëri është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Është korrupsioni që ka bllokuar zhvillimin ekonomik të vendit. Është korrupsioni dhe krimi i organizuar që ka bllokuar integrimin europian të Shqipërisë. Është korrupsioni dhe krimi i organizuar që rrezikon sigurinë kombëtare të vendit. Është korrupsioni dhe krimi i organizuar që mban ende në këmbë sistemin e kalbur të tranzicionit shqiptar. Prej kohësh raportet ndërkombëtare flasin në një zë se vendi jonë është më i korruptuari në Rajon dhe Europë dhe reklama e vetme për Shqipërinë mbetet fuqizimi i krimit të organizuar.
1 vit më parë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një paketë të plotë për kontrollin e pastërtisë së figurës dhe integritetit të zyrtarëve të lart. Duke përfituar edhe nga çoroditja e opozitës, Edi Rama e ka mbyllur atë në syrtar, duke mos lejuar avancimin e kësaj reforme të shumëpritur nga qytetarët.
Etja për pushtet e pasuri e 250 shqiptarëve, që përbëjnë edhe rrethin e zyrtarëve të lart të shtetit, nuk mund të mbajë peng të ardhmen e 3 milion shqiptarëve të tjerë. Interesi dhe rehatija e 250 shqiptarëve, nuk mund të lë pa shprese e besim 3 milion shqiptarë të tjerë. Korrupsioni nuk është retorikë boshe e politikës që e sjell në vëmeëndje të publikut sa herë lufta politike e ditës ia kërkon. Korrupsioni nënkupton pasurim të paligjshëm të 250 zyrtarëve të lart, korrupsioni përkthehet në jetë luksi të 250 zyrtarëve të lart, korrupsioni shfaqet në pasuritë e pajustifikuara dhe të fshehura të 250 zyrtarëve të lart, korrupsioni vërehet tek lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Për pasojë luftohet, jo përmes retorikës boshe dhe sulmit ndaj institucioneve të drejtësisë, por duke i ngarkuar me ligj organet e drejtësisë, duke i vënë në dispozicion mekanizimin e duhur ligjor, që ti japin fund etjes për pushtet dhe pasurim të paligjshëm të 250 zyrtarëve të lart.
Shqipëria ka nevojë emergjentë për drejtësi, shqiptarët janë të etur për llogaridhënie. Pandëshkueshmëria, paprekshmëria e qeveritarëve, zyrtarëve të lart, bizneseve pranë tyre dhe krimit të organizuar janë arsyeja e vetme pse shqiptarët sot kanë humbur shpresën dhe besimin. Tanimë është koha që SPAK të veprojë dhe të mos ketë më asnjë alibi. Ne do të mbështesim cdo propozim që e forcon SPAK, që con përpara zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe shmang kapjen politike të drejtësisë”, tha Alibeaj.
Lajmi kryesor: