Këshilltari i PD-së në Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka kërkuar në mbledhjen e Këshillit që të përcaktoheshin shkaqet dhe të jepej zgjidhje për fasadat e pallateve në kryeqytet, pas zjarrit të rënë në kompleksin Arlis.

Lidhur me bonusin prej 40 mijë lekësh të qirasë për familjet e prekura, Alimehmeti tha se nuk mund të trajtoheshin të gjithë të prekurit njësoj. Ai kërkoi që të bëhej një pasqyrim i qartë i gjendjes së familjeve të prekura dhe më pas të jepej ndihma për ta.

“Duke qenë se ky rast u bë tejet mediatik, kuptuam sesi me një flakë tejet të vogël mund të digjet një pallat. Copy Caty ekziston si fenomen. Dhe për këtë duhet një veprim i shpejtë. Dhe megjithëse kjo ishte për një fatkeqësi si ky tip, unë prisja që të mblidhej Komisioni i Këshillit Bashkiak për emergjencat civile. Tani unë nuk di kë vendim të votojmë, këtë me afat apo atë pa afat.

Në këtë aspekt nevojitet një plan. Ne e dhamë propozimin. Ne shkojmë me parimin që do e rikonstruktojë ky zotëria. Ka marrë një plan tjetër bashkia nëse ky nuk e bën? Nëse falimenton? Dhe e dyta, është vendosur një shifër 40 mijë lekë për këdo. Është një ndihmë, ndërkohë që aty nuk është bërë një listë sa banorë janë, a kanë fëmijë, a janë të vjetër, a kanë nevoja të veçanta, a janë të sëmurë. Nuk mund t’i trajtojmë të gjithë njësoj, s’kanë të gjithë të njëjtat halle”, tha mes të tjerash Alimehmeti.

Më tej Alimehmeti, duke folur për projektvendimin e Këshillit të Ministrave për kompensimin me 50 lekë për litër nafte të kompanive të transportit urban, tha se në Shqipëri nuk ka krizë nafte.

Sipas Alimehmetit, çmimi i naftës sot në bursat ndërkombëtare është më i ulët se në vitin 2012. Ai shtoi se rritja e çmimit të naftës në Shqipëri bëhet nga një dorë njerëzish për përfitime personale.

“Përsa i përket subvencionimit të naftës, të jemi të qartë, sepse përdoret shpesh kjo jo kriza, jo lufta. Sot çmimi i naftës në bursë, sepse në bursë e blejmë ne jo në Hormuz, është më i ulët sesa ishte në në vitin 2012. Sot është 101, ka qenë 120 në 2012. Pra është një dorë njerëzish që ka rritur disa çmime”, vijoi më tej Alimehmeti.


Lajmi kryesor:

Zjarri te 'Arlis'/ 40 mijë lekë bonus qiraje për familjet e prekura, Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton vendimin me shumicë votash!