Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti, ka kritikuar miratimin e reformës territoriale në Kuvend, duke pretenduar se ajo bie ndesh me kërkesat e opozitës dhe shqetësimet e evidentuara nga Këshilli i Europës për funksionimin e vetëqeverisjes vendore në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, Alimehmeti iu referua raportit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i cili sipas tij evidenton problematika në funksionimin e pushtetit vendor në Shqipëri.

"Dje, Edi Rama kaloi në Parlament reformën territoriale, në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve, në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e vazhdueshme të opozitës, por në kundërshtim edhe me Këshillin e Europës, i cili po dje publikoi Raportin e Monitorimit të aplikimit të Kartës Europiane të Vetë-Qeverisjes Lokale në Shqipëri, monitorim i cili u krye në 2025 në vijim të kërkesës të Partisë Demokratike për shkak të abuzimeve të njëpasnjëshmë të Edi Ramës me pushtetin vendor, pushhtet ky i ndarë  me Kushtetutë!

Sipas Alimehmetit, raporti ngre tetë çështje kryesore që lidhen me centralizimin e kompetencave, financimin e pamjaftueshëm të bashkive, konsultimin joefektiv me pushtetin vendor dhe përfshirjen e komuniteteve në procesin e ndryshimeve territoriale. Ai përmendi disa prej tyre

1-Centralizimi i kompetencave: Bashkitë janë reduktuar shpesh në zbatuese ose mbështetëse të politikave dhe shërbimeve që kontrollohen nga qeveria qendrore.

2-Financimi i pamjaftueshëm: Burimet financiare të bashkive nuk përputhen me koston e përgjegjësive që u janë ngarkuar.

3-Konsultimi joefektiv: Mekanizmat e konsultimit ndërmjet qeverisë dhe bashkive nuk sigurojnë pjesëmarrje të plotë dhe kuptimplotë të të gjitha shoqatave të pushtetit vendor.

4-Probleme me reformën territoriale: Konsultimi për ndryshimin e kufijve dhe bashkimin e bashkive ka nisur vonë dhe nuk duket se ka garantuar pjesëmarrje reale e në kohë të komuniteteve të prekura.

5-Dobësi në administrimin e taksave vendore: Bashkitë kanë kapacitete të kufizuara për mbledhjen e taksave, ndërsa regjistrimi i pronave nuk është gjithmonë i saktë dhe i besueshëm.

6-Sistem joefektiv i barazimit financiar: Mekanizmat e shpërndarjes së fondeve nuk korrigjojnë mjaftueshëm pabarazitë ndërmjet bashkive.

7-Mungesë e burimeve njerëzore: Bashkitë kanë vështirësi në tërheqjen, mbajtjen dhe zhvillimin e stafit të kualifikuar.

8-Qarqet nuk funksionojnë si një nivel real i vetëqeverisjes: Zgjedhja indirekte e këshillave të qarqeve, kompetencat e kufizuara dhe autonomia e dobët financiare pengojnë funksionimin e tyre si autoritete të mirëfillta vetëqeverisëse.

Sipas përfaqësuesit të PD-së, këto problematika ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe aksesin e qytetarëve në shërbimet publike.

Të gjitha këto probleme madhore të identifikuara nga Këshilli i Europës përkthehen në shërbime të larguara, në shërbime të munguara, në shërbime të vonuara dhe në shërbime të abuzuara për qytetarët. Ky është konkretisht “zbatimi” i pasaportës europiane sipas Edi Ramës.Të bësh të kundërtën e asaj që kërkojnë qytetarët! Të bësh të kundërtën e asaj që kërkojnë bashkitë! Të bësh të kundërtën e asaj që kërkon Këshilli i Europës! Vetëm për centralizim pushteti! Vetëm për kapje shteti! Vetëm për interes personal!- citoi Iliri.

Në përfundim të deklaratës, ai ngriti pikëpyetje mbi arsyet që, sipas tij, qëndrojnë pas miratimit të ligjeve në kushtet e kundërshtimit qytetar dhe protestave.

Pyetja për ju miqtë e mi është: “Një Qeveri që miraton ligje për shqiptarët, në kushte rrethimi nga shqiptarët dhe në kushte proteste nga shqiptarët, a i miraton këto ligje me të vërtetë për shqiptarët?” Ju e vendosni!- përfundoi Alimehmeti.