Nasser al-Khelaifi, presidenti i klubit francez të futbollit Paris Saint-Germain, është vënë nën hetim në Francë me dyshimin për konflikt të paligjshëm interesi, thanë të dielën prokurorët në Paris.
Hetimi paraprak lidhet me faktin se milioneri nga Katari ka patur rol të dyfishtë si drejtues i klubit parisien dhe kreu i beIN Media Group kur janë bërë marrëveshjet për shitjen e të drejtave televizive të Ligue 1. Sipas “L’Equipe” Al-Khelaifi ka marrë pjesë në takimin e bërë në korrik të 2024 me përfaqësues të ligës franceze të futbollit. Në këtë rast ai ka qenë në rolin e anëtarit në bordin e ligës franceze të futbollit.
Takimi u mbajt një ditë pasi beIN Sports bëri një ofertë prej 100 milionë eurosh (115 milionë dollarë) për të drejtat e transmetimit të Ligue 1. Liga profesionale e futbollit të Francës më vonë e pranoi ofertën e beIN.
Hetimi i fundit ndaj al-Khelaifi nisi në prill pas një informacioni nga shoqata anti-korrupsion, me procedurat që iu besuan policisë anti-korrupsion dhe asaj financiare. Sipas një burimi pranë çështjes, pretendohet se al-Khelaifi mori pjesë në diskutimet mbi vlefshmërinë e ofertës së beIN Sports pavarësisht se shërbeu edhe si kryetar i beIN Media Group, duke krijuar një konflikt interesi.
Thuhet gjithashtu se al-Khelaifi ushtroi presion mbi presidentët e tjerë të klubeve të Ligue 1 për të mbështetur propozimin e beIN Sports. Kjo nuk është hera e parë që Al-Khelaifi përfshihet në të tillë situata, por deri më tani nuk ka qenë i dënuar. Ai mban gjithashtu edhe postin e presidentit të klubeve evropiane të futbollit.












Komente
Komento