TIRANE- Pothuajse gjysma e aksidenteve rrugore që ndodhin në vendin tonë kanë si shkak konsumin e alkoolit nga drejtuesit e automjeteve. Ky fakt është bërë i ditur nga Shefi i Shërbimit të Alkologjisë në QSUT i cili thekson se gjatë këtyre viteve është vënë re një rritje e personave të cilët janë konsumues të alkoolit duke përfshirë këtu edhe femrat. Por për kreun e klinikës së alkoligjisë, Shpëtim Doksani marrja e masave nga Ministria Brendshme për drejtuesit e automjeteve që lëvizin të dehur është një nga nismat e duhura, e cila do të sjellë edhe ulje të konsumit të alkoolit.

“Me situatën e krijuar kjo masë është e duhur sepse është një masë akute parandalimi. Dhe duhet të implementohet për një periudhë kohore relative derisa të përmirësohen dhe zbatohen akte normative multidisiplinare  gjithëpërfshirëse” pohon Doksani ndërsa thekson se duhet të ketë edhe komisione ekspertize për rastet e përsëritura të përbëra nga ekspertë të rendit, drejtësisë dhe shëndetësisë. “Është pikërisht momenti i duhur që të ndërhyhet profesionalisht dhe shkencërisht  për të evidentuar jo vetëm përdoruesit alkoolik me anë të Policisë Rrugore, por edhe evidentimi i abuzuesve kronikë apo dipendentëve alkoolik si dhe toksikodipendentëeve” nënvizon shefi i Shërbimit të Alkologjisë.

Sa i përket varësisë nga alkooli mjeku thekson se ajo po kthehet gjithnjë e më tepër në problem për shëndetin publik. Veç kësaj shqetësues mbetet dhe fakti se 42 % e të varurve nga alkooli pas trajtimit i rikthehen vesit sërish. Sipas mjekut kjo ndodh për shkak të mungesës së mbështetjes familjare, dhe kjo bën që këta persona edhe pse i janë nënshtruar terapisë të vazhdojnë sërish pijen. Të dhënat tregojnë se 30 deri në 40% e popullsisë janë konsumatorë të alkoolit, ndërsa 3.5% mendohet të jenë të varur prej tij. Sipas Doksanit shifër kjo gjithnjë e në rritje në personat mbi 30 vjeçOrganizata Botërore e Shëndetësisë e radhit alkoolpirjen ndër shkaqet e para të dëmeve sociale, në vend të dytë për nga vdekshmëria fiziko-organike dhe në vend të tretë për nga çrregullimet e shëndetit mendor.


Shkrimi u publikua sot (24.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)