Ambasada amerikane në Prishtinë në një reagim të saj iu ka kërkuar dy forcave poltike, LDK dhe LVV, përkatësisht Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

“Ne pajtohemi me BE-në: njerëzit e Kosovës janë të padurueshëm për një Qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive”, thuhet në një njoftim të kësaj përfaqësie diplomatike.

Reagimi i amerikanëve erdhi pas kërkesës së ngjashme që erdhi nga Zyra e Bashkimit Evropian në vendin tonë ku bëhet thirrje për krijimin e institucioneve.

Reagimet e ndërkombëtarëve vijnë në një kohë kur bisedimet mes LDK dhe LVV janë në ngërç.

Dy forcat politike kanë dakordësuar programet dhe kanë përcaktuar dhe ndarë në parim numrin e ministrive dhe përkatësinë por janë ende larg marrëveshjes për shkak të postit të Presidentit, për të cilin, LDK këmbëngulë që të emërohet prej tyre. Sot, nënkryetarja e LDK Vjosa Osmani deklaroi se nëse nuk biem dakord për presidentin, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje.