Kazakistani  një nga vendet më të pasura në rajonin e Euroazisë, po punon për të afruar më shumë lidhjet me Shqipërinë përmes investimeve. Kjo u bë e ditur gjatë një takimi informues të organizuar sot në Tiranë nga Ambasada e Republikës së Kazakistanit, ku u diskutua edhe për tratativat për hapjen e një linje ajrore direkte mes dy vendeve.

Në të njëjtin takim, përfaqësues të medias dhe ekspertë shqiptarë u njohën me ndryshimet kushtetuese që pasuan referendumin e 15 marsit 2026 dhe me zgjedhjet e para për parlamentin e ri të Kazakistanit, të quajtur Kurultai, të cilat do të mbahen më 23 gusht.

Sipas të dhënave të prezantuara, në referendum morën pjesë mbi nëntë milionë qytetarë dhe 87,15% e votuesve miratuan Kushtetutën e re, e cila hyri në fuqi më 1 korrik 2026. Me hyrjen në fuqi të saj përfundoi edhe mandati i Parlamentit të mëparshëm me dy dhoma.

Kushtetuta e re parashikon krijimin e Kurultait, një parlament me një dhomë të vetme dhe 145 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional për një mandat pesëvjeçar. Në listat e partive do të zbatohet një kuotë minimale prej 30% për gratë, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara.

Takimi u hap nga ambasadori i Kazakistanit në Shqipëri, Iskander Aisariyev, ndërsa këshilltari i Ambasadës, Baurzhan Alzhanov, prezantoi ndryshimet kushtetuese dhe institucionale.

“Zgjedhjet e 23 gushtit përfaqësojnë hapin e parë praktik në zbatimin e modelit të ri kushtetues. Synimi ynë është t’u ofrojmë mediave dhe ekspertëve shqiptarë informacion të qartë dhe të verifikueshëm, si dhe të nxisim një diskutim profesional mbi domethënien institucionale të këtyre zhvillimeve”, tha Alzhanov.

Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Redion Luli, u shpreh se përvoja e Kazakistanit paraqet interes edhe për publikun shqiptar, pasi tregon mënyrën se si një reformë kushtetuese kalon nga referendumi në zbatimin praktik institucional.