Pas tensioneve që pasuan vendimin e Dhomave të Specializuara, Ambasada e Kosovës në Hagë u ka bërë thirrje qytetarëve që ndodhen atje të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo provokim.

Në reagimin e saj, Ambasada u kërkon protestuesve të respektojnë kushtet e lejes së protestës dhe ligjet e Holandës, duke theksuar se "dhuna nuk lejohet" dhe se përgjegjësia e të gjithëve është të ruajnë paqen dhe dinjitetin.

Njoftimi i plotë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka ndjekur me shqetësim të lartë verdiktin e dhënë sot nga Dhomat e Specializuara të Kosovës lidhur me rastin e liderëve të UÇK-së, z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi.

Ky vendim ka shkaktuar, me të drejtë, zhgënjim të thellë në mbarë Kosovën dhe përbën një lajm thellësisht zhgënjyes për të gjithë ne. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të drejtë, vetëmbrojtëse dhe të domosdoshme. Këtë fakt nuk e ndryshon askush, asnjëherë.

Besojmë se aktgjykimi përfundimtar në shkallën e apelit do ta ndryshojë këtë interpretim dhe këtë aktgjykim. Në këto momente, shprehim solidaritetin tonë me familjet e z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi.

Në të njëjtën kohë, Ambasada e Republikës së Kosovës u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në Hagë të ruajnë qetësinë dhe maturinë, të mos bien pre e provokimeve, të respektojnë rregullat dhe kushtet mbi të cilat është dhënë leja për protestën nga Komuna e Hagës, si dhe të respektojnë shtetin mik, Mbretërinë e Holandës.

Dhuna nuk lejohet. Paqja, dinjiteti dhe respektimi i ligjit janë përgjegjësi e të gjithëve.


Lajmi kryesor:

Tensione në Kosovë pas dënimit të liderëve të UÇK-së, qytetarët sulmojnë me gurë e shishe uji zyrat e EULEX! Në Hagë përplasen me policinë, hipin mbi makina (VIDEO+FOTO)