TIRANE - Mungesa e buxhetit për shërbimin diplomatik është vetëm maja e ajsbergut. Ky është reagimi që vjen nga PS, letrës së zbuluar nga mediat të ambasadorit Gilbert Galanxhi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme Gazmend Turdiu, e cila tregon qartë faktin se buxheti i ambasadës mjafton vetëm për dy muajt e parë të vitit dhe më pas gjithçka paralizohet.

"Atdheu privat" i Sali Berishës: shërbimi diplomatik në një krizë shumëpërmasore ku mungesa e buxhetit është veç maja e ajsbergut!- shkruan në FB deputeti i PS, Ditmir Bushati

Në letrën e tij kreu i misionit diplomatik në Uashington ka denoncuar me tone të forta situatën, gati të turpshme të ambasadës shqiptare në shtetin më të fuqishëm të botës.

“Ju kujtoj se Ambasada në Uashington DC, një nga ambasadat më të rëndësishme të shtetit shqiptar, është lënë pa shofer, pa sekretarë teknikë dhe pa pastruese. Besoj se do të mbetet rast unikal që një ambasadë në Uashington nuk ka shofer”.

Ndërkaq zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme deklaroi se kjo është çështje e buxhetit të brendshëm duke theksuar më tej se nuk ka asnjë shpjegim tjetër për të dhënë.

Redaksia Online
(j.d/Gre.M/Shqiptarja.com)