Përpos ankesave të përhershme të liderit demokrat Basha ndaj Ramës për shkeljen e Kushtetutës, largimet e militantëve të PD nga puna, mosmbajtja e premtimeve të dhëna në fushatën elektorale dhe kontributin për integrimin e Shqipërisë në BE, është diskutuar dhe protesta e paralajmëruar e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” sot në orën 14:00, në përkujtim të rrëzimit të bustit të diktatorit komunist Enver Hoxha 23 vite më parë.
Ka qënë lideri i PD, njëherësh kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ai që e ka përmendur këtë fakt, duke deklaruar se do të jetë një marshim paqësor proteste pa probleme për stabilitetin e vendit, por që do shërbejë për të shkundur qeverinë e kryesuar nga Rama që nuk po arrin dot të ndalë krimin, rënien ekonomike, shkeljen e ligjit dhe të Kushtetutës dhe realizimin e premtimeve që ka dhënë në fushatën e fundit elektorale. Pëpjekja e Bashës për t’u dalë përpara kritikave të 3 ambasadorëve të vendeve më të fuqishme në Tiranë, duke dhënë garanci për qetësi e mostensionim të situatës, është ndeshur me reagimin jo fort të qetë të përfaqësuesve të SHBA, BE dhe OSBE në Tiranë.
Sipas burimeve nga dreka e punës së organizuar nga Basha dy ditë më parë me ambasadorët, mësohet se ata i kanë kërkuar liderit demokrat të ketë kujdes gjatë gjithë protestës dhe të mbajë nën kontroll të gjithë marshimin dhe eksponentët që mund të krijojnë probleme duke tensionuar situatën. Madje ambasadorët mësohet të kenë kërkuar që turma të mbahet sa më larg institucioneve dhe në mënyrë të veçantë të mos ndikohet për t’u provokuar dhe për më tepër të mos konfrontohen me forcat e rendit.
Njëherësh ata janë shprehur të pakënaqur me retorikën e përdorur gjatë tërë këtyre ditëve, që ka në themel fjalën “përmbysje”, “rrëzim”, gjë e cila është e papranueshme për një forcë politike e cila nuk ka as shtatë muaj që ka dalë në opozitë me një votë masive kundër. Nga ana tjetër mësohet se ambasadorët janë shprehur të prerë kundër gjuhës së përdorur nga liderë të opozitës për model “Bosnjeje” apo “Ukraine” në Shqipëri. Mësohet të kenë thënë se partitë politike në Shqipëri duhet të harrojnë se mund të ketë skenare të tilla, pasi Shqipëria nuk mund të krahasohet në asnjë drejtim me Bosnjën apo Ukrainën.
Pasi sipas tyre në Ukrainë po përplasen forca që kanë koncepte të ndryshme ndaj qasjes demokratike ndërsa në Shqipëri janë të gjitha forcat politike, të gjithë shqiptarët pro integrimit në BE dhe në familjen e madhe euroatlantike dhe për më tepër që zgjedhjet e para disa muajve u certifikuan si të lira dhe demokratike, ku pala humbëse njohu fituesin e këtyre zgjedhjeve ndërkohë që qeveria ka shumë pak kohë që ka filluar punë. Basha ka dhënë garanci se nuk do të ketë incidente, se destabilizim s’bëhet fjalë.
Shkrimi u publikua sot (20.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)