Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, zhvilloi një vizitë në Kukës, ku u takua me kryetarin e Bashkisë, Albert Halilaj, si dhe me drejtuesin politik të PS-së për qarkun, Erion Malaj.

Gjatë takimit, ambasadori Abbott vlerësoi potencialin që kanë Kukësi, Hasi dhe Tropoja për të tërhequr investime nga emigrantët me origjinë nga këta zona që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Një nga inicativat që ne si Britani po synojmë është të gjejmë mënyrat se si mund të ndihmojnë diasporën shqiptare që të investojnë në vendin e tyre.Realisht unë mendoj se duhet fokusuar në veri sidomos në Kukës, Has e Tropojë. E vërteta është se shumë nga këto persona që vinjë në Britani, vijnë nga këto zona. Unë kam njohur shumë njerëz nga Shqipëria shumë të sukseshëm që punojnë në pozicione dhe profesione shumë të sukseshme në Londër e që vijnë nga kjo zonë. Dhe një shembull konkret është incimi dhe krijimi i dhomës së tregëtisë vitin e kaluar”, tha Abbot.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, u shpreh se investimet e emigrantëve mbeten jetike për zhvillimin e projekteve ekonomike, turistike dhe infrastrukturore në zonë.

Ai ndau me ambasadorin Abbott edhe projektin për rivitalizimin e tuneleve nëntokësore me mbështetjen e ushtrisë britanike, si dhe lajmin për vënien në funksion shumë shpejt të Aeroportit të Kukësit.

“Shumë shpejt aeroporti i Kukësit do të jetë në funksion të plotë” tha Halilaj.

Ndërkohë, drejtuesi politik i PS-së për Kukësin, Erion Malaj, tha se bashkëpunimi me Britaninë e Madhe dhe diasporën është i rëndësishëm për ta kthyer qrkun e Kukësit në një destinacion të rëndësishëm të turizmit malor.

“Ambasdori është një mik i veçantë për ne. Dhe këtu gjej rastin që ta falënderoj”, tha Malaj.

Vizita e ambasadorit britanik në Kukës u konsiderua si një sinjal mbështetjeje për zhvillimin e veriut të vendit dhe për forcimin e lidhjeve mes diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe zonave nga ku ata kanë origjinën.