Kosova rrezikon të dëmtojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të vështirësojë mbështetjen nga aleatët nëse vazhdon ngërçi politik. Paralajmërimi vjen nga ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, i cili u bëri thirrje partive politike të gjejnë gjuhën e përbashkët për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, diplomati britanik tha se bllokadat institucionale të muajve të fundit po dëmtojnë seriozisht kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Këto ngërçe rrezikojnë të dobësojnë kredibilitetin dhe progresin e Kosovës ndërkombëtarisht. Ato u japin mundësi kundërshtarëve të Kosovës ta paraqesin atë si një vend të dobët dhe jostabil, ndërsa ua bëjnë të vështirë aleatëve që ta mbrojnë dhe përkrahin”, u shpreh Hargreaves.

Ambasadori britanik vlerësoi procesin zgjedhor dhe rolin e institucioneve që organizuan votimin, por theksoi se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve është një sinjal pakënaqësie ndaj klasës politike.

“Kosova duhet të jetë krenare për historikun e saj demokratik që nga pavarësia. Por pjesëmarrja e dukshme e ulët në zgjedhjet e së dielës tregon se durimi i qytetarëve me politikanët po shteron”, tha ai.

Hargreaves nënvizoi se vendi ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe stabilitet politik, duke kërkuar certifikimin e shpejtë të rezultateve dhe nisjen e bisedimeve për formimin e Kuvendit, Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, sistemi kushtetues i Kosovës është ndërtuar mbi bashkëpunimin dhe kompromisin politik, ndaj përgjegjësia për zhbllokimin e situatës bie mbi liderët e partive.

“Kuvendi ka qenë plotësisht funksional vetëm për rreth 10 javë në 75 javët e fundit. Shumë nga kjo kohë u është kushtuar procedurave, jo ndikimit te populli i Kosovës”, deklaroi ambasadori britanik.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit rezultoi forca e parë politike, por ende nuk ka një marrëveshje të qartë për krijimin e institucioneve të reja.

Siç raportojnë mediat kosovare, thirrje për dialog dhe formim të shpejtë të institucioneve kanë bërë edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Italisë, të cilat kanë theksuar se progresi i Kosovës në rrugën europiane varet nga aftësia e forcave politike për të bashkëpunuar.

“Na duhet një partner i fortë me të cilin mund të punojmë. Progresi në rrugën drejt integrimit në BE varet nga të gjithë aktorët politikë që t’i lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të punojnë së bashku në interesin më të mirë të vendit”, tha Ambasada gjermane.