Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot

Zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e vetë partive politike në Kosovë. Kështu u shpreh ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, në një deklaratë për KosovaPress, ndërsa vendi po hyn në ditët vendimtare para afatit kushtetues.

Guerot e cilësoi si zhvillim pozitiv faktin që partitë kanë nisur takime mes tyre për këtë çështje. Sipas tij, është e domosdoshme që ato të flasin me njëra-tjetrën, pasi vetë kuadri kushtetues i Kosovës e kërkon këtë.

“ Kuadri institucional i Kushtetutës së Kosovës e bën të nevojshme që partitë politike të bisedojnë me njëra-tjetrën”, tha ai duke refuzuar të komentojë emra konkretë me argumentin se këto janë çështje të brendshme politike.

“Si diplomat i huaj, nuk dua të komentoj për politikën e brendshme. Kemi punuar shumë që Kosova të bëhet një shtet sovran dhe jemi të lumtur të shohim që institucionet po funksionojnë qetësisht me njëra-tjetrën”, u shpreh ai.

Guerot shtoi se është i bindur që partitë dhe institucionet do të punojnë qetësisht për zgjedhjen e kreut të shtetit, duke theksuar se Franca ka marrëdhënie shumë të mira me institucionet e Kosovës dhe pret vazhdimin e bashkëpunimit.


Lajmi kryesor:

Osmani në garë për mandatin e dytë, Kurti me sytë nga familja Jashari, ngërçi për presidentin e shtyn Kosovën drejt një krize të re politike