Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit u zhvillua pa pjesëmarrjen e opozitës. Kjo e fundit bojkotoi duke e quajtur seancën “spektakël politik”, ndërsa Kurti ia ktheu akuzat duke thënë se “nuk ndërmori asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit.”
“LDK dhe PDK nuk ka marrë iniciativë, ndonjë propozim, ndonjë emër. Kur iu ofrua mundësia konkrete, kanë zgjedhur heshtjen. Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale”, tha Kurti duke refuzuar fjalët se Vetëvendosja i është shmangur përgjegjësisë.
Sipas tij, e gjithë kjo reflekton mungesë respekti ndaj rezultatit të zgjedhjeve.
“Problem është që nuk ka respekt ndaj verdiktit të popullit. Nuk po respektohet rezultati i zgjedhjeve. Njësoj si vitin e kaluar, qëllimi është që të dëmtohet Vetëvendosja si fituese, që të ketë sa më pak mandate dhe Kosova të mos duket si vend stabël institucional”, tha Kurti.
Dy kandidatët e Vetëvendosjes për postin e Presidentit, Glauk Konjufca dhe Fatime Mulhaxha Kollçaku, u tërhoqën zyrtarisht nga gara.
Konjufca akuzoi opozitën se po përdor mungesën e kuorumit për zgjedhjen e presidentit me qëllim rrëzimin e qeverisë.
“Duan ta shfrytëzojnë çështjen e presidentit që përmes pamundësimit të kuorumit të çojë në zgjedhje. Shpresa e tyre është që përmes shfrytëzimit të institucionit të Presidentit, të rrëzojnë qeverinë”, tha ministri i Punëve të Jashtme e Diasporës.
Opozita u kritikua për mungesën edhe nga Albulena Haxhiu, ndërsa tha se “po e shtyn vendin drejt një krize të panevojshme.”
Në rast se nuk arrihet zgjedhja e Presidentit të ri brenda afatit kushtetues që skadon nesër, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Lajm në përditësim...

Glauk Konjufca, i propozuar aktual për president, është tërhequr zyrtarisht nga kandidatura.
“Tërhiqem në mënyrë formale nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.
Veprimin e tij e pasoi edhe deputetja Fatime Mulhaxha Kollçaku, kandidatja e dytë e propozuar për presidente nga LVV-ja.
“Edhe unë tërhiqem, e thashë që t’i japim mundësi zgjidhjes së problemet sepse zgjedhjet nuk janë zgjidhje, sot tërhiqem përfundimisht nga kandidatura”, tha Mulhaxha Kollçaku.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha para Kuvendit të Kosovës se kriza e zgjedhjes së presidentit po i bën dëm Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, ndërkombëtarët nuk i kuptojnë arsyet dhe kjo e bën vendin të duket i dobët dhe i paaftë të ndërtojë institucionet.
“Po i bëhet një dëm shumë i madh dhe serioz Kosovës. Prej vështrimit tonë të brendshëm, demokracisë vibrante, mund të shihet prej një aspekti pozitiv që kemi krijuar një shtet që përballon paqëndrueshmëritë, por ky nuk është kontribut i asnjë partie, kanë kontribuar breza të tërë. Është amaneti i dëshmorëve në fund të fundit. Në planin ndërkombëtar, dëmi është katastrofal. Në çdo takim, pyetja e parë është ç’po ndodh me krizën në Kosovë? Pse nuk po e zgjidhni presidentin? Nuk i kuptojnë arsyet, për ta është e pakonceptueshme. Kjo ka dëm të madh sepse Kosova fillon të konceptohet si një shtet që ka probleme serioze në ndërtimin e institucioneve të veta. Unë nuk di çfarë kuptimi ka ky qëllim që Kosova të duket si shtet i dobët, me qeveri me legjitimitet me probleme, me sfida, pa parlament. Në imagjinatën e kujt është kjo?”, përfundoi Konjufca.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Glauk Konjufca tha se opozita po shfrytëzon krizën për zgjedhjen e presidentit me qëllimin për të rrëzuar qeverinë.
“Duan ta shfrytëzojnë çështjen e presidentit që përmes pamundësimit të kuorumit të çojë në zgjedhje. Shpresa e tyre që përmes shfrytëzimit të institucionit të Presidentit, të rrëzojnë qeverinë. Kjo, i bie që të shkosh shumë larg në betejën politike, për të shfrytëzuar pozitën më të lartë për të rrëzuar qeverinë dhe kryeministrin”, tha Konjufca.
Më tej, Konjufca u shpreh se opozita është e vetëdijshme që në zgjedhje, LVV të pësojë humbje të thellë. Sipas tij, arsyeja është nihilizmi politik që do të prodhojë pasoja të paparashikueshme.
“A thua që gjithë këto parti politike presin që nesër kur të mbahen zgjedhjet, LVV të ketë 13% e këta 51%? A thua mendojnë ata që për 4 muaj ajo që është kështu, kthehet kështu? (Bën gjeste me duar) Unë për vete, s’besoj që ata besojnë në këtë. A kanë sondazhe dhe të dhëna më objektive? Kanë sondazhe, i kanë informatat e sakta dhe si është e mundur që t’i dinë krejt parametrat e situatës dhe prapë të bëjnë të njëjtën gjë? Arsyeja më e fundit mua më del një nihilizëm politik shumë fatkeq për Kosovën, me pasoja që s’mund t’i parashikojmë tani për tani", tha zv/kryeministri.
Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës, do të bëjë që deri më 4 tetor, Albulena Haxhiu të mbajë këtë detyrë që më pas do t’i kalojë kryetarit/es të ri të Kuvendit, u shpreh Albin Kurti para Kuvendit. Kjo nuk do të ndryshonte asgjë për opozitën, vijoi ai, sepse sërish Vetëvendosjes do t’i mbeteshin 3 pozita: e Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit.
“Aman na ndihmoni të mos kemi 3 pozita! Të dashur deputetë të opozitës, ejani na ndihmoni të mos kemi 3 pozita se tashmë i kemi 3 pozita!”, iu drejtua Kurti opozitës.
Kryeministri Albin Kurti tha se as përpjekjet e fundit të LVV kundrejt opozitës për çështjen e presidentit, nuk kanë prodhuar fryte.
“Mbrëmë kemi ripërsëritur ftesën dhe sërish asnjë përgjigje pozitive. Krerët e PDK dhe LDK bëjnë deklarata në media, por asnjë emër konsensual nuk erdhi as privatisht e as publikisht. Kjo e meriton një shpjegim. Nëse oferta jonë nuk do të ishte e mjaftueshme, do të kishte kërkesa”, tha Kurti.
Sipas tij, problemi që ndodh nga kjo është mosrespektimi i rezultatit të zgjedhjeve ku Vetëvendosja doli fituese.
“Problem është që nuk ka respekt ndaj verdiktit të popullit. Nuk po respektohet rezultati i zgjedhjeve. Njësoj si vitin e kaluar, qëllimi është që të dëmtohet Vetëvendosja si fituese, që të ketë sa më pak mandate dhe Kosova të mos duket si vend stabël institucional”, tha Kurti.
Kurti tha se deri në momentin e fundit, LVV “ka pritur bashkëpunim e marrëveshje” nga ana e opozitës për çështjen e presidentit të Kosovës. Por, ai nënvizoi se çdo iniciativë për takimet është ndërmarrë prej tij dhe nga opozita s’ka pasur asnjë përpjekje.
“LDK dhe PDK nuk ka marrë iniciativë, ndonjë propozim, ndonjë emër. Kur iu ofrua mundësia konkrete, kanë zgjedhur heshtjen. Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale”, tha Kurti.
Në fjalimin e tij para deputetëve të Vetëvendosjes Kurti akuzoi opozitën se nuk ka respektuar rezultatin e zgjedhjeve, duke ngatërruar kompromisin me nënshtrimin
“Rezultati i zgjedhjeve nuk mjafton vetëm të pranohet, rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe respektimi i rezultatit nuk është nënshtrim, një term tjetër i keqpërdorur nga opozita në këtë sallë e jashtë saj. Nëse ka një nënshtrim, ai është ndaj verdiktit të qytetarëve, të cilët me votë kanë përcaktuar peshën e cilit subjekt politik, duke përcaktuar edhe sjelljen parlamentare. Pikërisht për shkak të keqkuptimit të fjalës “nënshtrim”, opozita kompromisin e kupton si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve. Kompromisi është marrëveshje që reflekton realitetin e mandatit zgjedhor duke u dhënë të tjerëve atë që u takon sipas peshës së tyre elektorale. Kompromisi i vërtetë, ai i cili u shërbën qytetarëve ndërtohet mbi dy shtylla të panegocioueshme, së pari mbi respektin për rezultatin e zjedhjeve, pra respektin e vullnetit të qytetarëve dhe peshës politike që ata i kanë dhënë secilit subjekt subjekt politik dhe së dyti mbi përgjegjësinë institucionale dhe demokratike e cila rrjedhë nga angazhimi publik dhe nga fakti se je përfaqësues i zgjedhur i popullit”, tha ai.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se mungesa e opozitës në seancën e jashtëzakonshme për presidentin prodhon pasoja direkte dhe shtyn vendin drejt një krize të panevojshme.
“Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar këtë çështje në mënyrë përfundimtare, deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë marrë leje të rregullt paraprake”, tha Haxhiu.
Nga salla e boshatisur e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se dështimi në zgjedhjen e presidentit është për faj të opozitës dhe kësisoj po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja
"Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Zgjedhja e presidentit është vendimtare për vazhdimin e funksionimit me kapacitete të plota të qeverisë, të Kuvendit dhe të institucionit të presidentit. Dështimi në zgjedhjen e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja që do të ishin të pestat me radhë prej 16 muajve. Pra pothuajse çdo stinë të vitit do të kishim zgjedhje. Zgjedhjet e reja do të frenojnë punën e Qeverisë.. Akuzat se VV ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur as në mars të vitit 2021, as në shkurt të këtij viti, asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie në marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme.” tha Kurti

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, u ka bërë sërish thirrje partive opozitare që të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit në Kuvendi i Kosovës.
Në fjalën e saj në nisje të seancës, ajo theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë nënshkrim apo propozim konkret nga opozita për emrat për president.
“Kuvendi është vendi ku duhet të diskutohen çështjet thelbësore për vendin dhe zgjedhja e presidentit nuk është çështje procedurale, por moment ku duhet të diskutohet për konsensus e vullnet politik. Kemi pritur për nënshkrimet e deputetëve të partive tjera, nuk kemi pranuar asnjë nënshkrim, asnjë diskutim lidhur me këtë çështje. Atëherë e kemi parë të nevojshme që të diskutojmë në këtë seancë”, u shpreh Nagavci.

Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po vazhdon ndërkohë që opozita e ka bojkotuar atë.
Në sallë janë vetëm deputetët e Vetëvendosjes
Sipas vendimit të Kushtetueses, ka afat vetëm deri nesër që të zgjidhet presidentit i ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja
Komente








