Ambasadori gjerman: Reforma në
gjyqësor,sfida e madhe e Shqipërisë

Ambasadori gjerman: Reforma në<br />gjyqësor,sfida e madhe e Shqipërisë
Pas dritës jeshile për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann, flet në intervistë ekskluzive për Deutsche Welle-n mbi sfidat e mëtejshme të Shqipërisë.
 
DW: Z. Hoffmann, Këshilli Europian pritet të miratojë këtë fundjavë, statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, që Shqipërisë ia dhanë dje ministrat e jashtëm të BE, në takimin e tyre në Luksemburg. Ka qenë një proces i gjatë, i vështirë, i nisur që në vitin 2009. Cila është rëndësia e kësaj ngjarjeje për Shqipërinë dhe BE?
 
Së pari dëshiroj të uroj Shqipërinë për këtë ngjarje të shënuar në rrugën e saj drejt integrimit europian, ngjarje që e sjell Shqipërinë një hap më pranë në rrugën drejt integrimit. Ne, BE, Gjermania i qëndrojnë fort premtimit se Ballkani Perëndimor ka një perspektivë të qartë në BE. Për të gjithë ata që mendojnë se politika e zgjerimit të BE ka marrë fund - këtë e kemi dëgjuar shumë herë - kjo provon se e kanë gabim: politika e zgjerimit vazhdon dhe sfidat po ashtu. Ka shumë punë për t' u bërë në vitet në vijim. Është shumë e rëndësishme që Ballkani Perëndimor, vendet e tij po lëvizin të gjitha drejt integrimit, natyrisht hapat e tyre janë të ndryshme, ato nuk lëvizin njëlloj përpara në këtë proces, por në bazë të progresit që arrijnë. Kam shumë besim që edhe Kosova do të ketë progres, dhe marrja e statusit nga Shqipëria do ta inkurajojë edhe Kosovën.
 
DW: Pesë vende të BE, mes të cilave edhe Gjermania, në dhjetorin e kaluar, rreth 6 muaj më parë, ndikuan që Këshilli Europian, të shtyjë dhënien e statusit Shqipërisë, për të qënë më të bindur lidhur me vendosmërinë e qeverisë së re Rama për të kryer reformat e duhura, luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Z. Ambasador, çfarë realizoi Shqipëria në këto 6 muaj që Gjermania dhe vendet e tjera skeptike të dhjetorit të kaluar votuan dje pro dhënies se statusit?
 
Mendoj që është thënë shumë për vendimin e Dhjetorit të kaluar, ka pasur edhe spekulime. Fakti është që qeveritë e pesë vendeve anëtare të BE, mes tyre edhe Gjermania , thanë thjesht që “na duhet edhe pak kohë që të shohim se çfarë po ndodh në Shqipëri, sepse sapo ka ardhur në pushtet një qeveri e re, që duket krejt mirë, rotacioni i pushtetit nuk pati problem..” pra vendet e BE, që ju përmendni, dëshironin të shihnin nëse modernizimi dhe reformimi i Shqipërisë do të vazhdonte, prandaj thanë le t'i japim pak më shumë kohë.
 
Lidhur me faktet, dëshiroj të them që Gjermania mban qëndrim pozitiv pasi modernizimi dhe reformat vazhdojnë, janë kryer një sërë reformash të rëndësishme, le të përmend më të fundit, aksionin e policisë në Lazarat, pra ka një përshtypje se Shqipëria ka bërë progres, që përligj dhënien tani të statusit. Por gjithkush është i ndërgjegjshëm se mbeten shumë sfida dhe kur lexon përfundimet e Këshillit kuptohet qartë se çfarë janë këto sfida: lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, ku Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë shumë për të hapur negociatat me BE dhe natyrisht do të duhen shumë përpjekje.
 
DW: Z. Ambasador, nisur nga background-i juaj edhe si historian, do të desha të sillja në vëmendjen tuaj kohën e gjatë që iu desh Shqipërisë për të mbërritur deri tek marrja e statusit, gjë që nuk u ndodhi vendeve te tjera të Ballkanit Perëndimor ose të ish-Jugosllavisë. Si e shpjegoni ju këtë? A mendoni se ka edhe mësime për t' u nxënë nga politikanët e Shqipërisë, nga shoqëria?
 
Së pari dua të them që të gjithë kemi marrë mësime nga raundet e mëparshme të zgjerimit. Prandaj vendet në BE, përfshirë këtu edhe Gjermaninë, janë të kujdesshme për të parë se ku qëndrojnë problemet për të qenë të sigurta që ka vërtet një progres domethënës në fusha të rëndësishme. Dhe nuk është sekret për t'u mos thënë që nuk jemi të kënaqur me çfarë ka ndodhur në një numër rastesh të tjera të zgjerimit dhe shpresojmë që edhe atje do të ketë më shumë progres.
 
Së dyti dua të them që Shqipëria, në 20 vitet e fundit, ka kaluar në një tranzicion shumë të vështirë. Nuk është sekret gjithashtu që Shqipëria ka një problem me imazhin e saj, të cilin duhet ta ndryshojë. Shqipëria ka arritur vërtet suksese në këtë drejtim, në transformimin e imazhit të saj dhe dëshëroj të inkurajoj njerëzit në këtë drejtim. Lidhur me mësimet e nxëna: shqiptarët duhet të vazhdojnë të jenë të fokusuar, duhet të bashkëpunojnë në një mënyrë të arsyeshme ne politikën e brendshme të Shqipërisë, për të avancuar axhendën e integrimit europian.
 
DW: Z. Ambasador Hoffman, ju folët për sfida të rëndësishme që duhet të përballojë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE. Pas marrjes së statusit, cila është sfida më imediate që Shqipëria të aftësohet për hapjen e negociatave?
 
Në radhë të parë nuk ka automatizim në hapjen e negociatave. Askush nuk e di sesa kohë do të marrë kjo, por do të marrë kohë dhe shumë punë. Zbatimi i ligjit është çelësi do të thoja, dhe në këtë kontekst do të theksoja reformën në sistemin gjyqësor. Shpresoj shumë që të gjitha palët në Shqipëri kanë punuar së bashku në mënyrë konstruktive për të kryer reformimin e gjyqësorit që do të thotë gjithashtu luftë kundër korrupsionit në gjykata. Qeveria dhe vetë kryeministri Rama e kanë bërë shumë të qartë që kanë ndërmend të fokusohen fuqishëm në këtë çështje.
 
Besoj se ka një konsensus të gjerë në Shqipëri për të punuar shumë në këtë drejtim pasi një gjyqësor jo i korruptuar ndihmon shumë që Shqipëria të zhvillohet ekonomikisht Të gjithë e dinë sesa e rëndësishme është kjo për investitorët e huaj: gjyqësor jo i korruptuar që funksionon dhe zbatim i ligjit. Do të përmend gjithashtu rëndësinë e ngritjes së një shërbimi civil, të bazuar në meritë. Kjo është me rëndësi strategjike për Shqipërinë. Këto janë gjithashtu fusha ku qeveria dhe opozita mund të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive dhe të luajnë rolin e tyre: qeveria qeveris, opozita bën opozitë dhe duke bashkëpunuar mund të bëjnë shumë për ta çuar Shqipërinë përpara.
Do t'i uroja Shqipërisë forcë që të fokusohet në të gjitha këto çështje. Jam shumë i impresionuar nga konsensusi i gjerë pro-europian dhe kam besim se pas marrjes se statusit, ky konsensus do të forcohet më tej për të ndihmuar në përballimin e sfidave dhe vazhduar në këtë rrugë./DW/
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Krizë trafiku dhe…TikToku, jo krizë politike

Skënder Minxhozi: Krizë trafiku dhe…TikToku, jo krizë politike