TIRANE – Çamët që udhëtojnë nga Shqipëria në Greqi janë ndaluar vetëm për probleme me dokumentat. Ky është mendimi i ambasadorit helen në Tiranë, Nikolaos Pazios, i cili për herë të parë ka komentuar mbi këtë çështje.

“Edhe pse kemi regjimin e lëvizjes pa viza, nga ana tjetër nuk mungojnë kushtëzimet për këtë lëvizje. Rrjedhimisht, kur flasim për heqjen e vizave janë ne fuqi disa rregulla dhe ato varen nga dokumentet e identifikimit. Kur në këto dokumente nuk ka probleme, atëherë edhe për shtetasit qe i disponojnë nuk ka probleme në lëvizjen drejt Greqisë,” shprehet Pazios gjatë një interviste për Vizion Plus.

Për sa i përket mosnjohjes së Kosovës nga Greqia, ai tha se çdo vend ka arsyet e veta dhe la të kuptohet se nuk mund të hiqen paralele mbi shkaqet. “Janë disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën dhe çdo vend ka arsyet e veta. Ka edhe një mendim tjetër që nuk ka lidhje me Kosovën direkt, por me atë qe njihet në gjuhën diplomatike, si arkitekturë e re e shteteve të Ballkanit. Nëse në praktike nuk gjenden e zbatohen zgjidhje të pranueshme nga të gjithë, do krijohen probleme të tjera. Por me humor po them: pse i drejtohet Greqisë pyetja se pse nuk e njeh shtetin e Kosovës, më shpesh se vendeve të tjera? Ne jemi ndër vendet e para që kemi prezencë në Kosovë dhe kemi realizuar shumë vizita, e unë besoj se kjo do te thotë diçka apo jo?”, deklaroi diplomati grek.

(im/shqiptarja.com)