Interesi është që të kemi një Mitrovicë stabël, tha ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell, i pritur sot në takim nga kryetari i komunës jugore, Agim Bahtiri.
Ambasadori Ruairi O'Connell, tha se ka qenë disa herë në Mitrovicë dhe se është i gatshëm që të mbështesë zhvillimet pozitive këtu dhe që të ndihmojë në emër të qeverisë së Britanisë së Madhe.
"Interesi ynë është që të kemi një Mitrovicë stabile, pa probleme ndëretnike, ekonomikisht të zhvilluar dhe prosperuese. E di se këtu ka mjaftë sfida, por ato me punë të ndershme dhe serioze mund të tejkalohen. Në Mitrovicë, ashtu sikur edhe në Kosovë, duhet ketë sundim të ligjit, luftë të pa kompromis kundër korrupsionit, të ketë zhvillim ekonomik dhe zbutje të papunësisë e të varfërisë. Këto janë parakushte për investime të huaja dhe për afrimin e bashkëpunimin e njerëzve", tha ndër të tjera ambasadori O'Connell.
Kështu citon zyra e shtypit e komunës, sipas së cilës, kryetari Bahtiri i tha ambasadorit O'Connell se qytetarët e Mitrovicës u janë mirënjohës qeverisë dhe qytetarëve të Britanisë së Madhe për ndihmën dhe mbështetjen që ata kanë dhënë vazhdimisht për Kosovën, e sidomos për stabilizimin e gjendjes së përgjithshme në Mitrovicë.
Kryetari Bahtiri fillimisht i tha ambasadorit O'Connell se Mitrovica ka ende probleme të shumta të sigurisë, zhvillimit ekonomik, papunësisë, varfërisë etj, por që po bënë përpjekje që me punë dhe angazhime konkrete t'i tejkaloje këto./ATSH/