TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ - U përurua sot në Hardhishtë, komuna e Gjepalajt, në Durrës, shkolla 9-vjeçare me emrin "Kuvajti" në shenjë vlerësimi për kontributin e Shtetit të Kuvajtit në financimin e ndërtimit të kësaj shkolle, thuhet në një njoftim të ambasadës së Kuvajtit në Tiranë.
Në ceremoninë e përurimit ishin ambasadori i Shtetit të Kuvajtit në Tiranë, Najeeb Abdulrahman Al-Bader, kryetari i parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, zyrtarë të lartë, kryetari i komunës së Gjepalajt, prefekti i Durrësit si edhe drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale.
Ambasadori Najeeb Al-Bader deklaroi se ndërtimi i shkollës "Kuvajti" erdhi nëpërmjet kontributit të qeverisë së Shtetit të Kuvajtit, nën mbikëqyrjen e ambasadës së Kuvajtit në Tiranë që ndoqi nga afër ndërtimin dhe kompletimin e kësaj shkolle.
Shkolla "Kuvajti", në linjë me të gjitha standardet ndërkombëtare, ka 14 klasa me një kapacitet mbi 400 nxënës duke filluar nga kopështi deri në klasën e nëntë. Ajo ka edhe laboratorë shkencorë.
Al Bader theksoi se ishte krenar dhe i lumtur që merrte pjesë në hapjen e kësaj shkolle të re që mban emrin e Kuvajtit. Ai shtoi se kjo iniciativë është një model miqësie dhe partnershipi strategjik mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, që reflekton edhe gjërat e përbashkëta mes dy vendeve. Ai shtoi se inaugurimi i kësaj shkolle vinte në një kohë festash në Kuvajt, që celebron gjatë muajit shkurt Ditën Kombëtare dhe Ditën e Çlirimit.
Ambasadori Al Bader iu referua edhe çmimit që Emiri i Shtetit të Kuvajtit mori nga OKB-ja me titullin "Humanitarian Leader".
"OKB-ja ka përgëzuar kontributin e Kuvajtit si lider për ndihmat humanitare në të gjithë botën", deklaroi Al Bader.
Ambasadori shtoi se projekti i kësaj shkolle është një tjetër shembull i projekteve zhvillimore të Kuvajtit në Shqipëri, sidomos pas fillimit të proceseve demokratike në Shqipëri në vitin 1991 për plotësimin e një numri prioritetesh në procesin e zhvillimit të Shqipërisë veçanërisht në sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë.
Ambasadori kuvajtian shprehu besimin se shkolla "Kuvajti" do të kontribuojë në arritjen e objektivave për të pajisur nxënësit me njohuri më cilësore dhe për t'u krijuar atyre një ambient të përshtatshëm për mësim.
Al Bader dha edhe një mesazh për të gjithë nxënësit duke i vënë theksin rëndësisë së arritjes së rezultateve të larta në mësime për përballimin e sfidave të së ardhmes në jetën e tyre dhe për të kontribuar në prosperitetin e komunitetit dhe të të gjithë vendit nëpërmjet shpalosjes së vlerave kombëtare.
Nga ana e tij, kryetari i parlamentit, Ilir Meta përshëndeti kontributin me vlerë të Kuvajtit në shumë fusha për zhvillimin e Shqipërisë. Meta vlerësoi rolin e ambasadorit Al-Bader në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kuvajtit duke shtuar se hapja e kësaj shkolle është një reflektim i marrëdhënieve të shkëlqyera.
Gjatë ceremonisë, prefekti i Durrësit, kryetari i komunës së Gjepalajt dhe drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale shprehën vlerësimin dhe falenderimin e tyre për kontributin e Shtetit të Kuvajtit për përparimin e infrastrukturës arsimore në Shqipëri./ a.jor.










