TIRANË - Marrëdhëniet mes Polonisë dhe Shqipërisë ka sjellë në studion e A1 Report, ambasadorin polak në Tiranë, Marek Jeziorski.

Duke folur gjatë emisionit Tete a Tete, përballë gazetarit Artur Nura, ambasadori polak tha se, “marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë të mira, ende në nivelin e lartë, por gjatë viteve të fundit marrëdhëniet tregtare janë dyfishuar”.

Ai deklaroi se është duke u bërë gati një forum ekonomik mes dy vendeve. Ai ka folur edhe për themelimin e vendit të tij dhe Kushtetutën e shpallur në 3 maj të vitit 1721, ka shërbyer për të ecur përpara vendi i tij.

Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, Jeziorski deklaroi se deri në vitet ’60 ka pasur një aktivitet të madh mes Shqipërisë dhe Polonisë. Por më pas deri në pas rënies së komunizmit, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të ngrira për shkaqe politike.

Ambasadori polak në Tiranë, deklaroi në studion e A1 Report se, pas viteve 1990, numri i studentëve që shkojnë të shkollohen në Varshavë apo qytete të tjera është gjithmonë në rritje.  
 
Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, ambasadori polak tha se “marrëdhëniet politike janë shumë të mira mes dy vendeve. Qëllimet kryesore në politikën e jashtme dhe sigurisë janë gati të njëjta, meqë jemi dhe dy vende anëtare në NATO”.
 
Ai ka kërkuar që gjatë këtyre dy muajve politika dhe shoqëriar civile dhe ajo shqiptare të bashkëpunojnë për integrimin në BE.
 
“Ne përgëzojmë edhe hapat e Shqipërisë drejt integrimit. Unë kam shpresë që në Qershor të jepet statusi, por janë edhe dy muaj dhe duhet që të shfrytëzohet kjo kohë nga mazhoranca dhe opozita. Nga përvoja në Poloni në integrimin në BE, nga bashkëpunimi jo vetëm politik, por edhe me shoqërinë civile ka rol shumë të madh” tha Marek Jeziorski.
 
Ambasadori polak Marek Jeziorski ka folur edhe për gjendjen në Ukrainë dhe masat që duhen marrë. “Popullit të Ukrainës duhet ti krijojnë një hapësirë sa më të gjerë në bashkëpunimin me BE”, tha Jeziorski.
 
“Kriza në këtë vend, politika agresive e Moskës ndaj Ukrainës, aneksimi ilegal i Krimesë dhe tensionet që janë duke u krijuar afër dhe në disa rajone të Ukrainës Lindore, duhet që të priten me një reagim të fortë dhe i përbashkët me hapa sa më të efektshëm”, deklaroi gjatë emisionit Tete a Tete, ambasadori ambasadori polak në Tiranë, Marek Jeziorski.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)