Ambasadori në detyrë i Republikës së Kosovës, Sylë Ukshini ka komentuar sot në studion e emisionit “Rreze Dielli” mbi tarifën që pritet të vendoset në shtator për Rrugën e Kombit, e cila u kundërshtua ashpër nga shqiptarët në muajin mars, veccanërisht nga banorët e Kukësit. E ndërsa pritet që tarifa të jetë më e ulët se 5 euro, sa çu propozua në fillim, Ukshini theksoi se kjo taksë dëmton në radhë të parë shqiptarët e Kosovës por edhe bizneset shqiptare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Kosovë apo turizmin në Shqipëri.
Në fillim jo, por së fundmi kemi patur kontakte , ka patur takime edhe me bizneset nga ministrant Ahmetaj dhe Gjiknuri. Është një pozicion që ne në një farë mënyre e kemi thënë edhe nëpër takime. Duhet një konsultë e gjerë, sepse natyrisht rruga duhet të mirëmbahet, por duhet gjetur forma më adekuate , sepse nëse do mbetej në fuqi 5 euro , dhe unë mendoj që Shqipëria nuk e ka valutën zyrtare euro, dhe duhej ta vendoste në lekë. Unë mendoj që kjo do të ishte me efekte të dyanshme negative. Duket që në rend të parë godet shqiptarët e Kosovës, por godet edhe bizneset në Shqipëri, sepse ato janë më prezente në Kosovë. Do të dënonte edhe bizneset që janë në bregdet. P.sh ka njerëz që vijnë edhe vetëm për një kafe. Mblidhen disa shokë dhe thonë : Shkojmë ta pimë një kafe në Durrës? Por kur ti vë një taksë, nuk është puna që ai ndoshta s’mund ta përballojë në mënyrë të drejtpërdrejtë , por atij i duket si zhvatje ndoshta për momentin
Sylë Ukshini , ambasador në detyrë i Kosovës
Ukshini rikujtoi qëndrimin zyrtar të Kosovës por edhe të opinionit publik në anën tjetër të kufirit, i cili nuk e mirpriti këtë tarifë. Madje, fillimisht ambasada apo autoritetet në Prishtinë nuk kishin asnjë informacion në rrugë zyrtare për aplikimin e kësaj tarife të re, pavarësisht se prek drejtpërdrejt shqiptarët e Kosovës.
Mënyra si është aplikuar herën e parë, duhet të bëhemi të sinqertë, ka qenë pa një informim paraprak. Natyrisht që qeveria shqiptare është sovrane dhe merr vendime, por meqë prek drejtpërdrejtë edhe shqiptarët e Kosovës duhet të thuhet : "Dëgjo, nga kjo datë, do aplikojmë...", nëpërmjet kanaleve zyrtare, por jo unë të kërkoj në një website , ose të kërkoj në një gazetë, pra duhej t'iu qartësohej njerëzve.
Ne duhet të jemi të sinqertë sepse unë e kam thënë edhe me zyrtarët e Shqipërisë. Taksa as nga qytetarët dhe as nga ndonjë subjekt politik, as nga qeveria nuk është mirëpritur. Ky është qëndrimi zyrtar dhe ka pasur vërejtje. Ka bërë vërejtje me shkrim edhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj
Sylë Ukshini , ambasador në detyrë i Kosovës
Ukshini theksoi se ka plot njerëz që që qarkullojnë brenda ditës nga Kosova drejt Shqipërisë apo anasjelltas ndaj beson se tarifa do të jetë më e përballueshme. Ndërkaq I pyetur nëse edhe Kosova planifikon të vendosë një tarifë të ngjashme në shenjë reciprociteti në anën tjetër të Rrugës së Kombit, Ambasadori u përgjigj:
Ne e duam Shqipërinë dhe nuk kemi dëshirë të bëjmë gjëra reciproke
Sylë Ukshini , ambasador në detyrë i Kosovës